Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duket gjithnjë e më i izoluar dhe i nervozuar përballë valës së protestave që po zhvillohen në Beograd dhe qytete të tjera të vendit. Fundjavën që shkoi, në tubimin e quajtur “Qytetarët kundër bllokadave”, ai u shfaq në një shëtitje të improvizuar nëpër Voždovac, ku u përpoq të numëronte turmat dhe të shpallte se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.
Por realiteti në terren tregoi krejt të kundërtën: qytetarët u shtynë dhunshëm nga forcat e policisë, një protestues u arrestua dhe presidenti vazhdoi shfaqjen e tij duke numëruar njerëz në mënyrë qesharake, duke u mbështetur madje në “të dhënat e BIA-s në celular”.
Një video e publikuar në rrjetet sociale tronditi opinionin publik: aty shihej shpërndarja e dietave për pjesëmarrësit në tubimet e Partisë Progresive Serbe (SNS), të cilat qeveria i paraqet si spontane. Në Shabac, qytetarët publikuan një listë prej pesë faqesh me emrat e punonjësve të kujdesit shëndetësor të cilët ishin detyruar të shkonin në miting.
Këto skandale kanë rritur dyshimet se pushteti i Vuçiçit po mbahet gjallë me frikë, presion dhe pagesa nën dorë. Kritikat janë shtuar edhe ndaj mënyrës sesi presidenti dhe qeveria e tij po e përdorin policinë për të shtypur protestat dhe për të kontrolluar hapësirën publike.
Kryetari i opozitës, Dragan Đilas, deklaroi se pjesëmarrësve në mitingjet e SNS-së u jepen 50 euro para të zeza, duke e cilësuar këtë një praktikë të turpshme dhe kriminale. Ndërkohë, kryeministrja Ana Brnabić dhe krerët e SNS-së tentuan ta diskreditojnë këtë akuzë, pa dhënë asnjë shpjegim për videot dhe dëshmitë publike.
Në këtë klimë tensioni, kritikat ndaj Vuçiçit po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Shumë shohin se presidenti nuk po kërkon dialog, por po nxit përplasje civile për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Përballë kësaj, qytetarët që prej muajsh kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe drejtësi, po bëhen gjithnjë e më të vendosur se Serbia nuk mund të vazhdojë të sundohet përmes manipulimeve, frikës dhe korrupsionit.
© SYRI.net