Shërbimet sekrete të Maqedonisë vazhdojnë në mënyrë abuzive të pengojnë me çdo kusht zhvillimin e karrierave të suksesshme politike, ndërsa mbështesin fuqishëm figurat të cilët vijnë nga familje dhe familjar të cilët kanë qenë të përshtatshëm për shërbimet jugosllave.
Vetëm kjo linjë favorizohet dhe mbështetet me gjithë infrastrukturën e inteligjencës në Maqedoninë e Veriut.
Edhe pas tronditjes së Maqedonisë në vitin 2016, ku lideri i opozitës së atëhershme maqedonase Zoran Zaev publikoi skandalin e përgjimeve dhe keqpërdorimeve masive të shërbimit sekret gjatë qeverisjes së Nikola Gruevskit, siç duket strukturat në shërbimet sekrete në Maqedoni assesi nuk heqin dorë nga abuzimet me këto organe.
Rasti i fundit i para dy ditëve, ku Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se pas kryerjes së hetimeve të brendshme ka konstatuar një sërë abuzimesh nga drejtori i kaluar dhe se bëhet fjalë për abuzime me ndjekjen e paligjshme të gazetarëve, një ish-deputeti, prokuror dhe një ish-ministri. Gjithashtu ka njoftuar se janë bërë edhe keqpërdorime të shumta me dhënien e certifikatave të sigurisë.
Sipas burimeve tona, edhe njëri nga ish-funksionarët shqiptarë, ish-ministri i pushtetit lokal Suhejl Fazliu, ka qenë cak i përgjimeve të paligjshme dhe keqpërdorimeve që janë bërë me certifikatat e sigurisë.
Burimet tona flasin se është skandaloz fakti se ish-ministrit i është penguar edhe angazhimi si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Departamentin për Mbrojtje nga Krimet Kibernetike, duke e vazhduar praktikën skandaloze të shënimeve në dosje “se ka miq nga Shqipëria dhe Kosova”, praktikë kjo që i takon periudhës së shërbimeve jugosllave.
Fazliu i takon një gjenerate të re politikanësh, i cili ndihmoi formimin e qeverisë Zaev, ku ai dhe partia në të cilën ishte sekretar i përgjithshëm në zgjedhjet e vitit 2016 – Rilindja Demokratike Kombëtare – e cila fitoi vetëm një deputet, por ishte partia kryesore që përcaktoi formimin e qeverisë së z. Zoran Zaev.
Siç duket, roli konstruktiv i z. Fazliut në formimin e një qeverie e cila solli deri te zgjidhja e çështjes së emrit me Republikën e Greqisë dhe më pas anëtarësimi i vendit në NATO, u bë therë në sy nga individë dhe grupacione të krimit të cilët donin me çdo kusht që në Maqedoni të mbizotëronte ngërçi dhe izolimi dhe të parandalohej formimi i çdo mekanizmi i cili do të zhvillonte një luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit.
Është skandaloz edhe roli i zv/drejtorit në shërbimin sekret maqedonas, i cili shërben vetëm si dekor, pa asnjë rol, pa asnjë paraqitje dhe pa asnjë përgjegjësi për gjithë këto abuzime që kanë ndodhur, përderisa ai ka qenë përfaqësuesi më i lartë shqiptar në organin më të lartë të Agjencisë për Siguri Kombëtare, z. Besnik Ferati.
© SYRI.net