Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot në Pekin se ka zhvilluar një bisedë të hapur dhe të rëndësishme me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ku i ka kërkuar atij një çmim të favorshëm për gazin, sasi më të mëdha dhe më shumë fleksibilitet.
“Kemi pasur një bisedë shumë të hapur, të sinqertë dhe të rëndësishme me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe besoj se prekëm të gjitha temat me interes të ndërsjellë. Për ne, çështja e energjisë është jashtëzakonisht e rëndësishme në disa drejtime. Para së gjithash, kemi nevojë për gjithnjë e më shumë furnizime me gaz – për ne gazi është jetik. Blihen sasi më të vogla, por të rëndësishme për ne, nga Azerbajxhani, por pjesa më e madhe e gazit vjen nga Federata Ruse,” tha Vuçiç për gazetarët pas takimit me Putinin.
Edhe prara takimit me Putin, Vuçiç theksoi se bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Rusinë në të gjitha fushat është shumë i rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht në fushën e energjisë dhe në sigurimin e gazit rus.
“Shpresoj që të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe ta përmirësojmë bashkëpunimin në disa aspekte. Energjia është një fushë shumë e rëndësishme për ne dhe furnizimi me gaz ka një rëndësi të veçantë për ne,” tha Vučić në Pekin, shkruan sot agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka qenë vetëm një herë në Moskë prej fillimit të agresionit rus. Takimi dypalësh me Putinin në maj, gjatë ceremonive për përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore, ishte i pari zyrtar pas më shumë se tre vjetësh nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Në atë kohë Putini tha se Rusia “e vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në çështjet ndërkombëtare”.
Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Brukseli i ka vendosur në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Edhe në tetor 2024, me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit, Vuçiç tha se e kishte falënderuar Putin për furnizimin me gaz rus për Serbinë gjatë dimrit.
© SYRI.net