Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç është takuar me shefin e inteligjencës ushtarake kroate, me të cilin ka biseduar për rastin e dy të arrestuarve për spiunazh për Serbinë.
Gjatë gushtit, autoritetet kroate arrestuan një pilot të ushtrisë kroate dhe të dashurën e tij, një serbe nga Mitrovica e Veriut, të cilët dyshohen se i kanë dhënë informacione konfidenciale Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Pllenkoviç tha se vendi i tij po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
“Jam takuar me drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, gjeneralmajorin Ivan Turkal, sa i përket hetimit që po kryhet kundër një oficeri të Forcave të Armatosura kroate dhe një personi tjetër nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të spiunazhit. Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Kroacisë dhe institucione të tjera kompetente po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe sigurinë kombëtare”, shkroi Plenkoviç në X.
© SYRI.net