Zëvendëskryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Borko Stefanoviç, deklaroi këtë mëngjes se po shqyrtohet mundësia që Milorad Dodik, i cili pas vendimit të Dhomës së Apelit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës nuk është më President i Republika Srpska, të kandidojë për President të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme.
Stefanoviç u shpreh për televizionin Nova se kjo mundësi po “negociohet seriozisht”, duke shtuar se aktualisht presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk mund të kandidojë sërish, pasi mandati i tij i dytë po përfundon. Sipas tij, Vuçiç synon të rikthehet në postin e kryeministrit dhe po përgatit Dodikun, i cili ka shtetësi serbe, për të marrë këtë rol.
Duke komentuar protestat e fundit në Serbi, Stefanoviç kritikoi ashpër sjelljen e autoriteteve gjatë paraqitjes së Vuçiçit para ambientit të SNS-së në Palilula, ku, sipas tij, u thyen dritaret, u arrestuan pa bazë dhe u rrahën të rinj. Ai paralajmëroi se represioni mund të intensifikohet, pasi qeveria do të përpiqet t’i kategorizojë protestuesit nën termin “terrorizëm”, që sipas ligjit është shumë i gjerë.
“Gjithçka tregon një hyrje në një represion të intensifikuar nga regjimi në largim, i cili pothuajse e shkatërroi Serbinë dhe është qeveria më e keqe në historinë e vendit. Pavarësisht dhunës dhe arrestimeve, duhet të qëndrojmë të qetë. Një protestë paqësore dhe e mençur, si ajo e mbrëmshme në Beograd, është përgjigjja më e mirë,” tha Stefanoviç.
© SYRI.net