Studentët në bllokadë kanë ngritur sot shqetësimin se ekziston një dyshim të bazuar se qeveria po përgatit një skenar të përshkallëzimit të dhunës në rrugë në ditët në vijim. Sipas tyre, ky skenar do të pasohej nga kriminalizimi formal i rezistencës dhe një valë e re shtypjeje ndaj qytetarëve. Ata i bënë thirrje opinionit publik të qëndrojë i qetë, i përmbajtur dhe jo i dhunshëm, por njëkohësisht i përgatitur dhe i vendosur për të mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat demokratike.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, studentët e quajtën “të turpshëm” fjalimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, duke e konsideruar si një kapitull tjetër të një modeli nëntëmujor të nxitjes së luftës civile. “Ne nuk jemi ata që i frikësojmë njerëzit tanë për hir të pikëve politike”, theksuan ata.
Studentët argumentuan se sjellja e qeverisë është shprehje e pafuqisë përballë një humbjeje të pashmangshme zgjedhore, e cila po tentohet të shmanget me “djegien e shtetit si ajo e Neronit” dhe me “derdhjen e kotë të gjakut serb”. Ata sollën në vëmendje rezultatin e zgjedhjeve lokale në Sremska Mitrovica, ku kandidatët e regjimit u mundën në të gjitha garat ku kishin kundërshtarë, madje edhe në zona ku më herët kishin fituar me mbi 70% të votave.
Sipas tyre, ky rezultat është një paralajmërim i qartë i ndryshimit që po vjen. “Çdo përpjekje për të zgjidhur krizën politike, sociale dhe të sigurisë në Serbi përmes mjeteve jodemokratike dhe duke shmangur shprehjen demokratike të qytetarëve, do të përfundojë vetëm me rrëzimin e regjimit të degjeneruar dhe me përgjegjësi të plotë morale, historike dhe penale për të gjithë ata që zbatojnë urdhra jokushtetues ose të paligjshëm”, theksuan studentët.
© SYRI.net