Një burrë ka humbur jetën në Greqi të premten, si pasojë e zjarreve të përhapura nga erërat e fuqishme. Mbi 200 zjarrfikës, të mbështetur nga 11 avionë dhe shtatë helikopterë, po luftojnë zjarret në Keratea, në juglindje të Athinës, tha Kostas Tsigkas, kreu i zjarrfikësve grekë, për televizionin shtetëror ERT.
Ai shtoi se disa banorë të zonave të prekuara janë evakuuar për shkak të "zjarreve të mëdha", të cilat janë nxitur nga erërat e forta. Zjarrfikësit gjetën trupin e një të moshuari brenda shtëpisë së tij të djegur në Keratea, ndërsa erërat po ua vështirësojnë punën avionëve cisternë për të vepruar, tha zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, në një konferencë për shtyp.
Një gazetar i AFP-së në qytetin e afërt Palaia Fokaia, rreth 45 kilometra në jug të Athinës, pa një shtëpi që përfshihej nga flakët, ndërsa tymi i dendur mbulonte gjithçka. Më herët, një zjarr tjetër në ishullin Kefalonia ishte vënë nën kontroll, sipas autoriteteve lokale, ndërsa situata "është përmirësuar" në gadishullin e Peloponezit, në perëndim të Athinës, njoftoi Vathrakogiannis.
Ministria e Mbrojtjes Civile njoftoi se erërat mund të arrijnë deri në 88 kilometra në orë, veçanërisht në Egjeun Jugor dhe Detin e Kretës. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (EMY) parashikoi që erërat të dobësoheshin pas mesnatës, por Ministria e Mbrojtjes Civile vendosi disa zona në nivelin më të lartë të alarmit për zjarre për të shtunën, përfshirë rajonin e Atikës, ku ndodhet Athina.
Greqia dhe vendet e tjera të Mesdheut ndodhen në një zonë që shkencëtarët e quajnë "pikë të nxehtë të zjarreve", pasi përballen me zjarr të shpeshta gjatë verave të nxehta dhe të thata. Në këtë kontekst, Franca jugore, e dëmtuar nga thatësira, po përballet aktualisht me zjarrin më të madh në dekada. Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po shkaktojnë zjarre më të shpeshta dhe më intensive, si dhe katastrofa të tjera natyrore.
© SYRI.net