Dy trupa të pajetë janë gjetur nga autoritetet në një automjet të djegur në një rrugë kryesore mes fshatrave kodrinorë në Qipro, të goditur rëndë nga zjarret që kanë përfshirë rajonin. Zjarri ka shkatërruar më shumë se 100 kilometra katrorë tokë, ka dëmtuar dhjetëra banesa dhe ka detyruar evakuimin e të paktën 14 fshatrave përgjatë një shtrirjeje 14-kilometërshe të terrenit malor.
Sipas policisë qipriote, mbetjet e viktimës së parë u zbuluan të mërkurën mbrëma, ndërsa trupi i dytë u gjet të enjten në të njëjtin mjet, përgjatë rrugës Monagri-Alassa. Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar viktimat dhe për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes tragjike.
Dy persona të tjerë janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Nikozisë me djegie të shumta; ndonëse gjendja e tyre është serioze, mjekët thonë se nuk është kritike. Në terren janë angazhuar mbi 14 avionë zjarrfikës për të luftuar flakët në zonat e paarritshme nga toka, ndërsa banorët lokalë i janë bashkuar zjarrfikësve në përpjekje për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve, Andreas Kettis, deklaroi në agim se nuk ka fronte aktive për momentin, por paralajmëroi se rreziku mbetet i lartë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta. Ai konfirmoi gjithashtu dëme të mëdha në disa banesa, përfshirë të paktën 20 shtëpi të shkatërruara në fshatin Lofou.
Sipas zyrtarit lokal të Pafosit, Haralambos Pittokopitis, flakët mbeten jashtë kontrollit në trekëndëshin Agia Varvara–Nata–Episkopi, për shkak të terrenit të thyer, bimësisë së dendur dhe erërave të fuqishme. Qeveria qipriote ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare: Spanja ka dërguar dy avionë zjarrfikës dhe Jordania dy helikopterë, ndërsa edhe një helikopter britanik nga bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Qipro është angazhuar në operacion.
Situata mbetet e rëndë dhe autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
© SYRI.net