Greqia përballet me krizën e ujit: Qeveria prezanton planin kombëtar për menaxhimin e burimeve ujore

Greqia përballet me krizën e ujit: Qeveria prezanton planin kombëtar për menaxhimin e burimeve ujore

09:04, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka prezantuar planin kombëtar të Greqisë për të përballuar sfidën në rritje të mungesës së ujit, në një takim të posaçëm të zhvilluar në Rezidencën Maximou. Në një kohë kur vendi përballet me nivele rekord të ulëta të digave dhe rezervuarëve, qeveria ka vendosur të zbatojë një model të ri menaxhimi për këtë burim jetik.

Mitsotakis theksoi se uji është dhe do të mbetet një e mirë publike dhe se duhet trajtuar si një prioritet strategjik për dekadat në vijim. Ai nënvizoi nevojën për reforma të thella dhe për një qasje të centralizuar, në mënyrë që Greqia të jetë e përgatitur për sfidat klimatike që e presin në 30 vitet e ardhshme.

Sipas të dhënave të paraqitura në takim, Greqia renditet e 19-ta në botë për sa i përket rrezikut nga mungesa e ujit, ndërsa rezervuarët në rajonin e Atikës kanë rënë me mbi 50% krahasuar me vitin 2022. Ekspertët paralajmëruan se kriza klimatike po e përkeqëson këtë situatë në të gjithë vendet e Mesdheut, ndërkohë që Evropa është kontinenti që po përjeton ngrohjen më të shpejtë globale.

Plani i ri i qeverisë bazohet në pesë shtylla kryesore: garantimi i ujit si e mirë publike, zhvillimi i kompanive të qëndrueshme të ujësjellësve dhe kanalizimeve, menaxhim i centralizuar i projekteve, masa urgjente gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe përdorimi i teknologjive të reja si shkripëzimi, riciklimi dhe ripërdorimi i ujit.

Në këtë kuadër, janë në proces më shumë se 1,200 projekte për menaxhimin e ujit, ndërsa 278 të tilla janë përfunduar që nga viti 2019. Qeveria synon jo vetëm përballimin e menjëhershëm të krizës, por edhe ndërtimin e një infrastrukture afatgjatë që garanton sigurinë ujore për qytetarët dhe bujqësinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco