Lirohen 4 të dënuarit për vrasjen e gazetarit serb 25 vjet më parë

Lirohen 4 të dënuarit për vrasjen e gazetarit serb 25 vjet më parë

18:42, 02/02/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit në Beograd shpalli të premten vendimin për lirimin e katër ish pjesëtarëve të sigurimit shtetëror serb, të dënuar për vrasjen e gazetarit serb Slavko Çuruvija në vitin 1999, i cili ishte bërë i njohur për kritikat ndaj regjimit të ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.

Ish shefi i Shërbimit shtetëror të sigurimit të Serbisë, Radomir Markoviç dhe oficeri i këtij shërbimi, Milan Radonjiç, qenë dënuar në vitin 2019 me nga 30 vjet heqje lirie, ndërsa agjentët e shërbimit të fshehtë, Ratko Romiç dhe Miroslav Kurak me nga 20 vjet heqje lirie.

Gjykata e Apelit në Beograd tha se “ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë”, duke nënvizuar se “gjatë procedurës nuk është konstatuar ekzistenca e një grupi të organizuar kriminal dhe as nuk është u konstatua se kush, kur dhe ku, siç thuhet në aktakuzë, ka marrë pjesë në bërjen marrëveshjes dhe planit për t'i marrë jetën pronarit, drejtorit dhe kryeredaktorit të të përditshmes "Dnevni telegraf" dhe të përjavshmes "Evropljanin" Slavko Çuruvija, dhe asnjë dëshmi nuk është paraqitur në mbështetje e pretendimeve të prokurorisë, se një urdhër i tillë është dhënë nga një person i panjohur ‘nga strukturat më të larta të qeverisë’”.

Slavko Çuruvija, u vra më 11 prill të vitit 1999, pak ditë fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, për t’u dhënë fund mizorive mbi shqiptarët e Kosovës.

Ai ishte një kritik i ashpër i ish udhëheqësit serb dhe për vrasjen e tij prej kohësh ishin fajësuar pjesëtarët e rrethit të ngushtë të Sllobodan Millosheviçit, i cili vdiq më 2006 në Hagë, derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Fondacioni me emrin e gazetarit të vrarë, u shpreh i “tronditur” me vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Një vend që nuk dënon vrasësit nuk ka të ardhme. Me këtë vendim, në Serbi u vu në pikëpyetje shteti i së drejtës, u ndalën proceset demokratike dhe u pezullua liria e fjalës. Vendi bashkohet me vendet më të errëta ku është e mundur të vrasësh pa u ndëshkuar për shkak të kritikave të shprehura publikisht”, thuhet mes tjerash në reagimin e këtij fondacioni.

Kryetari i Komisionit për Hetimin e Vrasjeve të Gazetarëve, Veran Matiç, i tha shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se “sot është një ditë shumë e trishtuar kur bëhet fjalë për mosndëshkimin e vrasjeve të gazetarëve në Serbi, Evropë dhe botë”./ VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco