Vuçiç: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia të njohë Kosovën

Vuçiç: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia të njohë Kosovën

10:13, 23/10/2023
A+ Aa A-

“Qëllimi i vetëm i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”.

Kështu u shpreh Presidenti serb Aleksander Vuçiç, një ditë pas takimit në Beograd me 5 të dërguarit e Perëndimit. Ai përsëriti se takimi i së shtunës kishte qenë i vështirë për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi. Siç deklaroi në një intervistë për mediat vendase, pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë rreth fundit të javës së ardhshme, në Bruksel.

I pyetur nëse pret trysni, Vuçiç tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta, të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.

“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo ka të bëjë vetëm me ngjarjet e Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiç.

Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiçin, në Prishtinë dhe Beograd, emisarët perëndimorë u kërkuan palëve që të normalizojnë marrëdhëniet dhe thanë se shtensionimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë më parë. Lajçak i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në hetimet për ngjarjet në Banjskë dhe përsëriti se autorët e sulmit ndaj Policisë së Kosovës duhet të sillen para drejtësisë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i BE-së deklaroi se kishin ardhur me një plan të ri. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi pas takimit me pesëshen diplomatike se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco