Presioni i Serbisë në Mal të Zi, qytetarët serbë protestojnë kundër formimit të qeverisë së re

Presioni i Serbisë në Mal të Zi, qytetarët serbë protestojnë kundër formimit të qeverisë së re

08:24, 31/08/2023
A+ Aa A-

Qytetarët serbë protestuan të mërkurën në Podgoricë dhe disa komuna të tjera të Malit të Zi kundër formimit të qeverisë së re nga udhëheqësi pro-perëndimor Milojko Spajiç, i cili mori miratimin e presidentit për të formuar një koalicion qeverisës.

Kryetari i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç ka thënë se në qeverinë e re nuk do të ketë përfaqësues të partive politike pro-serbe dhe pro-ruse.

Protestuesit bllokuan rrethrrotullimin në lagjen Zlatica që lidhet me autostraden kryesore të Malit të Zi. Ata mbanin flamuj ku dominonin simbolet serbe, ndërsa brohorisnin “tradhtia nuk falet”.

Policia tha se organizatorët e protestës nuk kishin marrë leje pranë organeve përkatëse dhe se gjithçka po vëzhgohet e madje po bëhen edhe filmime. Ndërkohë, banorët e bllokuar nga protesta e qytetarëve serbë kanë shprehur zemërimin e tyre.

Protesta e qytetarëve serbë në Malin e Zi vjen pas deklaratave të zyrtarëve në Beograd lidhur me mospërfaqësimin në qeverinë e re të partive pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat fituan 13 vende në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi.

Udhëheqësi pro-perëndimor, Milojko Spajiç, i cili ka zhvilluar bisedime me partitë që kanë fituar vende në parlament, tha se lista “Europa Tani” ka marrë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë së re në vend.

“Koalicioni do të formojë një qeveri të përbashkët që do të përmbushë të gjitha programet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore”, tha zoti Spajiç për mediat në Malin e Zi. Ai tha se partitë pro-serbe dhe pro-ruse nuk do të jenë pjesë e qeverisë, pasi siç u shpreh ai, nuk gëzojnë besimin e duhur.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Mal të Zi që të formojnë sa më shpejt parlamentin dhe qeverinë e re, me synimin për të përshpejtuar reformat e duhura drejt Bashkimit Evropian.

Lëvizja “Evropa Tani” e formuar një vit më parë, fitoi 24 vende në parlament në zgjedhjet e mbajtura më 11 qershor. Pas saj rënditet koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-Presidentit Milo Gjukanoviq./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco