Lajmi i fundit

VIDEO/ Veliajn e presin me protesta në SPAK: O hajdut, o hajdut!

Për çka po protestojnë sot veteranët e UÇK-së para qeverisë?

Për çka po protestojnë sot veteranët e UÇK-së para qeverisë?

17:57, 15/07/2023
A+ Aa A-

Mospërfshirja në Ligjin për pagën minimale të veteranëve të UÇK-së dhe përmendja e tyre në bisedën që e ka zhvilluar shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me nënkryetarin e Listës Srpska, Sllavko Simiq, e cila u publikua së fundi, janë dy arsyet kryesore për të cilat kanë thënë se do të protestojnë sot veteranët e UÇK-së.

“Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet nga veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare. Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin. Kundër shkeljes së të drejtave të ushtarëve të UÇK! Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojçiq kundër luftëtarëve të UÇK nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ligji që përjashton u votua turpshëm nga shumica parlamentare”, thuhet në njoftimin e protestës.

Për këtë ka folur sot kryeministri Albin Kurti, i cili tha se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por tha se këto përfitime nuk janë paga.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Kurti tha se u trefishua numri i veteranëve dhe shtoi se nuk mund të deformohet lufta.

“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë pjesë edhe më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve. Prandaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emra adekuatë. Veteranët, sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, ndërkaq nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit, atëherë do të bëhen edhe më shumë se 60 mijë. Andaj unë jam që të kemi falënderimin e mirënjohjen si shoqëri për të gjithë. Mirëpo nuk mund ta deformojmë luftën çlirimtare të UÇK-së”.

Kësaj proteste i ka dhënë mbështetje kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Madje, pak më parë ai i bëri thirrje Kurtit që t’i “lëjë njerëzit të protestojnë”.

Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë. Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës!”, ka shkruar Haradinaj.

Me sejmenë, Haradinaj aludoi te ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili pak më herët bëri një deklaratë që nxiti reagime të ashpra meqë i lidhi protestën e veteranëve dhe përgjimet e fundit që dolën në publik me “luftën hibride” të Serbisë kundër Kosovës.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, tha Sveçla.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco