‘Më mirë të jetojmë si miq, pa tensione’, Mistotakis: Me Turqinë shkojmë edhe në Hagë

‘Më mirë të jetojmë si miq, pa tensione’, Mistotakis: Me Turqinë shkojmë edhe në Hagë

09:46, 14/07/2023
A+ Aa A-

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dha intervistën e tij të parë për mediat greke pas fitores së tij në zgjedhje dhe një ditë pas takimit me Rexhep Tajip Erdogan në Vilnius pas samitit të NATO-s.

Duke folur për SKAI-n, kryeministri e cilësoi takimin me Erdogan si një mundësi për të rifilluar marrëdhëniet greko-turke.

“Mendimi im është konfirmuar se Turqia duket se është gati për një ndryshim në politikën e saj të jashtme që nuk ka të bëjë, theksoj, vetëm marrëdhëniet e Turqisë me Greqinë, por ka të bëjë edhe me marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, Greqia mund të përfitojë vetëm nga një kthesë e tillë e Turqisë. Ne nuk donim dhe nuk besuam se ishte domosdoshmërisht në interesin e vendit tonë të jetonim në një regjim të përhershëm tensioni. Mendoj se të gjithë jemi dakord që është më mirë të jetojmë si fqinj të civilizuar, si miq, sesa të kemi “vija të kuqe”, siç kemi qenë për fat të keq në katër vitet e fundit”, tha kryeministri grek.

Qëllimi i madh sipas Mitsotakis është zgjidhja e thelbit të mosmarrëveshjes, që ka të bëjë edhe me demarkacionin e zonave detare.

“Qëllimi i madh është zgjidhja e thelbit të mosmarrëveshjes. Dhe i referohem ndryshimit, sepse dallimi ynë i madh me Turqinë është ende demarkacioni i zonave detare, ZEE dhe shelfi kontinental, pra në Egje dhe në Mesdheun Lindor. Besoj se duhet të arrijmë të biem dakord të shkojmë në Hagë, në mënyrë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë përsipër këtë çështje të madhe që ka mbetur pezull prej shumë dekadash. Por padyshim që të shkosh në Hagë nuk është një çështje e thjeshtë dhe nuk është diçka që mund të bëhet nga një moment në tjetrin”, deklaroi Mitsotakis.

Ai theksoi se edhe nëse dy shtetet nuk shkojnë në Hagë, “ruajtja e klimës së mirë që shmang tensionet e panevojshme”, duhet të mbizotërojë.

“Kemi një axhendë të madhe, një axhendë të guximshme, të cilën unë jam i gatshëm ta eksploroj. Por edhe nëse nuk arrijmë, në fund, të biem dakord për mosmarrëveshjen e madhe, vetëm ruajtja e klimës së mirë është një arritje e rëndësishme për të dy vendet. Kjo nuk do të thotë se për shkak se ne mund të mos biem dakord për çështjen kryesore, duhet të kthehemi automatikisht në një periudhë tensioni të madh”, nënvizoi kreu i qeverisë helene.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco