Lajmi i fundit

Identifikohet një nga autorët e dhunës ndaj Mëngjesit, policia mban të fshehtë emrin

Takimi në Bruksel për dinarin, Bislimi: I dështuar! Nuk pres bisedime të tjera për këtë temë

Takimi në Bruksel për dinarin, Bislimi: I dështuar! Nuk pres bisedime të tjera për këtë temë

18:49, 15/05/2024
A+ Aa A-

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive. Ai i bëri këto deklarata pas një takimi trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky rund i ri i bisedimeve ishte vazhdim i përpjekjeve që palët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave. Ky ishte takimi i shtatë mes kryenegociatorëve në muajt e fundit për këtë çështje, pasi në gjashtë takimet paraprake ata nuk arritën pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se priste që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, priste që palët të dëshmonin gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së. Serbët në Kosovë për vite me radhë marrin asistencë sociale dhe pagesa të tjera nga buxheti i Serbisë.

“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano më 13 maj, kur konfirmoi mbajtjen e rundit të ri të dialogut.

BE-ja donte që takimi i së mërkurës të ishte i fundit për çështjen e dinarit, por kjo, siç thanë në bllok, do të varej nga gatishmëria e palëve për të pranuar një zgjidhje. Lajçak ka paraqitur para palëve një propozim, që në BE thonë se është “praktik dhe ofron një zgjidhje të përkohshme kalimtare”, por për propozimin nuk janë dhënë detaje.

Në BE thonë se koha dhe energjia që po shpenzohen në kërkim të zgjidhjes për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse takimi i së mërkurës është thirrur për një çështje specifike, atë të dinarit, në këtë takim mund të ngrihet edhe çështja e vizitave zyrtare nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, pas disa refuzimeve që janë bërë, e që BE i ka cilësuar si shkelje të obligimeve të marrëveshjes që ka të bëjë me vizita zyrtare. si shkelje të obligimeve nga marrëveshja.

Më 14 maj, BE-ja kritikoi vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar vizitën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, duke e cilësuar si shkelje të Marrëveshjes për vizitat zyrtare të arritur në kuadër të dialogut./Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco