Kryeministrja e Serbisë,  Ana Brnabiç viziton Kosovën të hënën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç viziton Kosovën të hënën

16:05, 02/09/2022
A+ Aa A-

Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiç, të hënën më 5 shtator do të vijë për vizitë njëditore në Kosovë.

Media serbe shkruan se me këtë rast ajo do ta vizitojë Mitrovicën Veriore, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Së bashku me kryeministren serbe, Kosovën do ta vizitojnë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviç dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Dr. Mihailo Jovanoviç.

Raportohet se kryeministrja serbe do ta nisë vizitën e saj të hënën në mëngjes me Mitrovicë, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore.

Pas kësaj është planifikuar një vizitë në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Në komunën e Leposaviqit, pasdite, Bërnabiq do të vizitojë familjen e vëllezërve Radosavljeviç, të cilët raportohet se janë zyrtarisht duke u zhvendosur në shtëpinë e re, të ndërtuar me mjete nga Qeveria e Republikës së Serbisë, përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën.

Kryeministrja e Serbisë vizitën e saj në komunën e Leposaviqit do ta përmbyllë me një xhiro në një fermë familjare.

Ndërkaq nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë bënë të ditur se vizita e kryeministres serbe  është paralajmëruar të enjten, më 1 shtator, 72 orë para vizitës dhe, siç theksohet, në përputhje me Marrëveshjen për Vizitat zyrtare.

“Vizita e kryeministres së Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiç në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në kuadër të të cilave është rruga e vetme për të arritur mbijetesën e serbëve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës në fjalë.

Ndryshe, kjo është vizita e saj e parë në rolin e kryeministres së Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco