Mediat europiane për Kosovën/ EuObserver: Rusia i hodhi benzinë zjarrit

Mediat europiane për Kosovën/ EuObserver: Rusia i hodhi benzinë zjarrit

19:02, 01/08/2022
A+ Aa A-

Mediat europiane akuzojnë Rusinë se të dielën i hodhi benzinë zjarrit të tensioneve në Veri të Kosovës. Agjencia e Brukselit zyrtar, EuObserver, raporton se kjo situatë ka alarmuar autoritetet në Bruksel. Ndërsa rrjeti britanik BBC bën me dije se të dielën serbët etnikë barrikaduan rrugët në veri dhe persona të armatosur qëlluan në shenjë proteste, duke detyruar qeverinë e Kosovës të shtyjë me një muaj hyrjen në fuqi të reciprocitetit.

Agjencia e njohur e Brukselit, EuObserver, raporton për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Sipas agjencisë, kjo situatë ka alarmuar autoritetet në Bruksel.

EuObserver thekson se Rusia i hodhi mbrëmjen së dielës benzinë zjarrit të situatës së tensionuar në Mitrovicën veriore, duke pretenduar se serbëve etnikë po u mohoheshin të drejtat e tyre në Kosovë.

Agjencia referon zëdhënësen ruse, Maria Zakharova, e cila sipas saj, është në listën e zezë të sanksioneve të Bashkimit Europian, duke thënë se një zhvillim i tillë është dëshmi e dështimit të misionit ndërmjetësues të Bashkimit Europian.

 “Ky është një shembull se çfarë vendi do ketë Serbia në BE, duke i ofruar Beogradit "de facto" që të durojë mungesën e të drejtave të bashkëatdhetarëve të saj brenda Kosovës”, u shpreh zëdhënësja ruse, Maria Zakharova.

Ndërsa rrjeti britanik, BBC raporton se qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e rregullave të reja që do i detyrojnë banorët në zonat me shumicë serbe të ndërrojnë targat e lëshuara në Serbi me targat e lëshuara në Kosovë.

Rregullat duhet të hynin në zbatim mesnatën e të hënës por, thotë BBC, të dielën serbët etnikë barrikaduan rrugët në veri dhe persona të armatosur qëlluan në shenjë proteste.

"Rreth 50 mijë persona që jetojnë në zonat me shumicë serbe në veri vazhdojnë të përdorin targat e lëshuara nga autoritetet serbe dhe refuzojnë të njohin institucionet kosovare, thekson agjencia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco