‘Propozimi francez na zhbën si komb’, qeveria e Maqedonisë së Veriut i trembet referendumit

‘Propozimi francez na zhbën si komb’, qeveria e Maqedonisë së Veriut i trembet referendumit

16:34, 29/07/2022
A+ Aa A-

Njësoj siç ndodhi në 2018, qeveria e socialdemokratëve po tenton ta zbehë rëndësinë e referendumit për ndryshime kushtetuese në Maqedoninë e Veriut me ç’rast pritet që të pranohet i ashtuquajturi propozim francez përmes futjes së bullgarëve në Kushtetutë.

Dimitar Kovaçevski duket se po i trembet maqedonasve, pasi opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE kërkon që t’ua lërë në dorë qytetarëve implementimin e entitetit bullgar si rol për shtet formimin e vendit.

Kreu i qeverisë edhe të enjten në sallën e Kuvendit zgjodhi që çështjen e zgjidhjes së kontestit bullgar t’ia linte në dorë vetëm deputetëve, pa e kaluar te qytetarët, në një kohë kur opozita pretendon se përmes pranimit të propozimit francez zhbëhet dhe dëmtohet identiteti dhe gjuha maqedonase.

Kreu i socialdemokratëve akuzon opozitën se po e përdor referendumin politikisht.

"Pyetja e referendumit ka të bëjë me përdorimin e brendshëm partiak të VMRO-DPMNE-së, siç kanë bërë edhe më përpara. Kuvendi ka vendosur që shteti ynë të vazhdojë në rrugën e integrimit evropian dhe në të kanë marrë pjesë deputetë të partive të ndryshme politike që përfaqësojnë një gamë më të gjerë të qytetarëve në vend, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo fetare," tha ai.

Rolin më neutral e mbajti kreu i shtetit, Stevo Pendarovski i cili sugjeroi që pyetja e referendumit drejtuar qytetarëve të ishte nëse duan apo jo të integrohen në BE në këto kushte, pra pa përmendur marrëveshjen me Bullgarinë.

Opozita ndërkohë ka nisur konsultimet me ekspertët dhe shoqërinë civile lidhur me formulimin e pyetjes së referendumit.

Sipas kushtetutës së vendit, referendumi mund të mbahet nëse mblidhen 150 mijë firma nga radhët e qytetarëve.

Ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut mund të bëhen përmes 2/3-ve të ligjvënësve maqedonas.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco