Në fjalën e tij në ditën e 41-të të protestës, qytetari akuzoi qeverinë Rama për braktisjen e qytetarëve, korrupsionin dhe përdorimin e pushtetit në dëm të interesit publik.
Nga sheshi i protestës, ai ngriti akuza të forta për gjendjen e fermerëve, shtresave në nevojë dhe largimin masiv të shqiptarëve drejt Europës, duke deklaruar se qeveria nuk ka reflektuar ndaj problemeve reale të vendit.
Duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të mbledhur në protestë, ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar ndryshimin politik si të vetmen rrugë për daljen nga ajo që e quajti një krizë të thellë qeverisjeje.
Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për keqmenaxhim të fondeve publike, ndërsa solli në vëmendje çështje të bujqësisë, uzinës së Ballshit dhe shpenzimeve të qeverisë për aktivitete, në një kohë kur sipas tij qytetarët përballen me vështirësi ekonomike.
Fjala e tij:
Kryeministri, me qëndrimet e tij kriminale kundër popullit shqiptar, nuk turpërohet nëse këta njerëz me nevoja të veçanta kanë mungesa elementare për të jetuar. Nuk turpërohet që qeveria e tij vjedh subvencionet qind për qind dhe se bujqit janë në një vështirësi të madhe për të përballuar shpenzimet, pa folur më për fitimet.
Kryeministri kriminal i Shqipërisë nuk turpërohet që erdhi në pushtet me premtimin se do të vinte në funksion uzinën e Ballshit, por e shkatërroi atë dhe e shiti për hekur. Nuk turpërohet absolutisht. Ai turpërohet vetëm nëse nuk organizohet një koncert dhe harxhohen 4 milionë euro.
Pra, kryeministri kriminal i Shqipërisë nuk turpërohet që populli i tij detyrohet të marrë rrugën drejt Evropës për një jetë më të mirë, duke lënë pas prindërit e moshuar, të pambrojtur, pa shërbime dhe pa përkujdesje.
Jo, absolutisht nuk turpërohet, sepse ndjenja sociale në shpirtin e tij është e vrarë që në fëmijërinë e tij, pasi ndryshe nuk mund t’i japim një kuptim kësaj situate.
Pra, kemi fatin e keq që në vitin 2026 të vazhdojmë për të 13-in vit radhazi të udhëhiqemi nga një kryeministër që, përveçse për popullin e tij, nuk mendon. Ai e shfrytëzon votën e këtij populli për të marrë karrigen dhe për ta shtypur atë sistematikisht.
Kjo protestë e ditës së 41-të duhet të vazhdojë me të njëjtën frymë, me të njëjtin qëllim dhe me të njëjtën kërkesë: të kërkojmë dorëheqjen e tij pa negociata.
Nuk mund të negociohet me një njeri që nuk ka asnjë ndjenjë njerëzore për popullin të cilit ia ka dhënë votën, për popullin të cilin e mban prej 13 vitesh sikur një mbret kryeministror, i cili nuk merr asnjë masë njerëzore parasysh në mënyrën e tij të drejtimit.
Njeriu që ka humbur lidhjen me popullin e tij, njeriu që ka humbur lidhjen me gjithçka, vazhdon të qëndrojë në krye të Kryeministrisë së Shqipërisë edhe pas ditës së 41-të.
Ne duhet të jemi këtu, pa përjashtim. Ne duhet të jemi këtu gjithmonë për të kërkuar deri në fund, me paqe, dorëheqjen e tij.
[Turma brohoret]
Kam bërë thirrje që në ditët e para që kryeministri të mos presë ditën e një proteste të dhunshme, të mos presë një nivel tjetër të protestës. Uroj me shpirt dhe me zemër që Shqipëria të mos kthehet asnjëherë në vitet e 97-ta.
Kjo nuk vjen për shkak se populli nuk guxon, por sepse qetësia dhe paqja e kësaj proteste vijnë nga fakti se ky popull është më i qytetëruar se politika dhe politikanët që e kanë marrë pushtetin me luftë.
Ne, si qytetarë atdhetarë dhe patriotë që e duam Shqipërinë të paprekur, kërkojmë që kryeministri të largohet nga detyra e tij, sepse nuk është i denjë për të udhëhequr këtë popull.
Prandaj duhet të mblidhemi këtu deri në ditën e dorëzimit të tij. Duhet të jemi këtu për t’i treguar, ashtu siç i kemi treguar botës, se ne nuk pajtohemi me korrupsionin, me vjedhjet dhe me ato që i cilësojmë si abuzime personale dhe kolektive të qeverisjes së tij.
© SYRI.net