Lajmi i fundit

VIDEO/ Dita e 19-të e protestës qytetare, kërkohet largimi i Edi Ramës nga pushteti

VIDEO/ Gazetarja e CNN e pyet për revoltën qytetare, Rama humb toruan: Keni nevojë të rehabilitoheni! Nuk ka protesta

19:08, 18/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një debat i tensionuar ka ndodhur gjatë panelit në Forumin Botëror Future Investment Initiative, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, i cili është përplasur me gazetaren e rrjetit televiziv CNN, Eleni Giokos.

Gjatë diskutimit mbi investimet e huaja në bregdetin shqiptar dhe ndikimin e tyre në mjedis, kreu i qeverisë nuk ka ngurruar të etiketojë CNN si një burim të njëanshëm, duke u ndalur edhe tek origjina greke e moderatores për të shpjeguar qasjen e saj.

I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarja nëse toka është blerë tashmë nga investitorët, Rama e konfirmoi këtë fakt, duke deklaruar se nuk ka asnjë arsye për shqetësim nga ana e ambjentalistëve.

Pavarësisht paralajmërimeve të ngritura nga Komisioni Evropian për respektimin e rregullave mjedisore dhe pretendimeve për protesta nga qytetarët, Kryeministri u shpreh i bindur se shumica e popullit shqiptar dhe vetë komuniteti lokal e mbështesin fuqimisht këtë zhvillim.

Momenti më i pazakontë i përplasjes erdhi kur Rama me tone ironike ftoi gazetaren të vizitojë Shqipërinë për “të puthur zogjtë”.

DEBATI:

Gazetarja: Faleminderit për këtë kontekst. Na mbaroi koha. Do t’ju bëj disa pyetje të shpejta, po ose jo. A është toka blerë tashmë nga investitorët? A është blerë toka tashmë nga investitorët?

Rama: Dëgjo, mos shko aty, sepse tani po më kujton që je nga CNN. Dhe më vjen keq ta them, por nga kjo kam mësuar në mënyrën e vështirë që ju nuk jeni burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Pra, po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u bërë vlerësimi i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk ka një projekt të miratuar. Po, ende nuk ka leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt. Dhe po, Shqipëria do të ecë përpara. Dhe Shqipëria nuk mund të shpëtojë Europën vetëm në një gjë: nëse rrjetet sociale do të vazhdojnë të trajtohen lirshëm, Europa do të shembet nga brenda. Dhe atëherë mburojat kundër raketave dhe predhave do të jenë të pavlera, sepse nuk do ketë më asgjë për të mbrojtur.

Gazetarja: Kryeministër, shumë shpejt. Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektohen rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Ju keni gjithashtu çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Evropian të jetë në anën tuaj?

Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e dëshiron projektin. Vendndodhja ku do të realizohet projekti është një qytet që në shumicë të madhe e pret me padurim këtë projekt, dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku do të zhvillohet projekti e dëshiron atë. Pra, ajo që ju shihni nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Reagimi i fortë ekziston, e kuptoj, por kur të shuhet, dhe kur unë t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt që do të jetë një mundësi e madhe për CNN të “shpëtojë reputacionin”.

Gazetarja: “Të shpëtojë reputacionin?”

Rama: Po, të shpëtojë reputacionin. Ju keni nevojë për pastrim reputacioni. Keni nevojë për pastrim reputacioni ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar, dhe madje edhe ndaj zogjve. Keni nevojë për një moment pastrimi. Sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka do të jenë shumë më mirë se sot. Projekti synon të sjellë 25% më shumë gjelbërim se sa ka aktualisht. Sot ujërat e lagunës janë infektuese, dhe ne do të kemi një sistem krejt tjetër për t’i pastruar sërish. Siç thoni në Shtetet e Bashkuara, “të pastrojmë përsëri”, jo “ta bëjmë të madh përsëri”. Faleminderit.

Gazetarja: Faleminderit që e sqaruat të gjitha këto. Faleminderit që i sqaruat.

Rama: Jo, mendova se po falënderonit për ftesën.

Gazetarja: A po më ftoni? Nuk e di. Por dëgjoni, puna jonë është të bëjmë pyetje dhe...

Rama: Po, po, sigurisht.

Gazetarja: Dhe sigurisht përgjigjet tuaja janë gjithmonë të mirëpritura. Na mbaroi koha...

Rama: Dëgjo, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është interpretimi (spin-i). Dhe do ta them gjithmonë këtë sepse nuk kam pasur mundësi ta them më parë. Kam qenë i ftuar në CNN, kam dhënë një intervistë. Dhe ata që mendojnë ndryshe kanë pasur kohën e tyre. Por që prezantuesja që më ftoi si i ftuar të publikojë në profilin e saj një deklaratë fyese, jo kritike, por fyese ndaj meje, është diçka e papranueshme. Prandaj mendoj se Shqipëria i detyrohet kësaj “shpirti të humbur” mundësinë të vijë, të puthë zogjtë dhe të shëlbohet. Dhe ne do ta bëjmë këtë. Faleminderit.

Gazetarja: E kuptoj që po flisni për kolegen time. Puna jonë është të bëjmë pyetje dhe ne gjithmonë e vlerësojmë kur ju përgjigjeni. Është një moment i rëndësishëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco