Një seancë e tensionuar parlamentare ka nxjerrë në pah akuza të ashpra drejtuar mazhorancës dhe institucioneve shtetërore. Diskutimet nisën me nderimin e efektivit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës, por kaluan shpejt në një denoncim të rëndë. Përfaqësuesit e shtetit dhe eprorët e policisë u akuzuan për paaftësi dhe lidhje të drejtpërdrejta me krimin, duke bërë që oficerët e thjeshtë në terren të ndihen të braktisur dhe të tradhtuar.
Megjithatë, pika që shkaktoi reagimin më të madh ishte denoncimi nga deputeti i PD Bardh Spahia i urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cilësuar si "i turpshëm". Sipas deklaratave në foltore, ky vendim mbulon shpenzimet shtetërore për trajtimet hormonale të personave transgjinorë, duke përfshirë një kufi moshe alarmant prej 14 vjeç. U theksua se ky urdhër është nxjerrë në mungesë të plotë të transparencës, pa asnjë bazë shkencore dhe pa u konsultuar me urdhrat e mjekëve, psikologëve dhe farmacistëve. Pyetja më shqetësuese që u ngrit gjatë fjalës ishte nëse këto shpenzime po mbulohen duke u hequr fondet shërbimeve vitale jetëshpëtuese, siç është rasti i Spitalit Onkologjik.
Bardh Spahia: Zonja drejtuese e seancës, së pari dëshiroj ta fillojmë me një shprehje të ngushëllimit për policin i cili humbi jetën sot në krye të detyrës. Ngushëllimet e mia për familjarët, miqtë, dashamirësit, por edhe një urim për shërim të shpejtë për kolegun e tij i cili u plagos dhe është nën trajtim mjekësor. Në fakt është skandaloze të shohësh se si policët, shërbëtorët e shtetit, shpesh herë gjenden të luftojnë krimin të tradhtuar, nganjëherë nga paaftësia e eprorëve të tyre apo akoma më keq, edhe nga lidhjet e eprorëve dhe të përfaqësuesve të shtetit shqiptar me krimin, i cili shpesh herë në vend që të mbrojë policët, i tradhton dhe mbështet krimin.
Pika tjetër e cila mendoj se është e rëndësishme për t'u diskutuar është mungesa e vazhdueshme e Kryeministrit të Shqipërisë sa herë sidomos ka kërkesë për interpelancë dhe do të duhej të ishte këtu për t'i dhënë përgjigje pyetjeve dhe interesimit të kolegëve deputetë dhe detyrimin që ka ai për transparencë ndaj opinionit publik dhe qytetarëve shqiptarë. Në fakt nuk është rastësi, është një mënyrë tashmë konstante e kësaj mazhorance për t'i u shmangur përgjegjësisë qytetare, për të bërë transparencë. E njëjta situatë, në të njëjtën situatë u gjendëm edhe dy ditë më parë në Komisionin e Shëndetësisë, zonja drejtuese e seancës, ku ishit prezent edhe ju. Në atë seancë të komisionit parlamentar kërkuam me forcë prezencën, thirrjen e Ministres së Shëndetësisë për të dhënë sqarime për opinionin publik dhe interesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë për një urdhër skandaloz, të turpshëm, që ai institucion ka nxjerrë nëpërmjet zëvendësministres. Një urdhër i cili parashikon mbulimin e shpenzimeve për personat transgjinorë dhe nuk jep asnjë sqarim se pse do të duhej të përfshihej në këtë urdhër kufiri i moshës 14 vjeç për pacientët. Nuk jep asnjë sqarim mbi çfarë bazash dhe studimesh shkencore është realizuar ai urdhër. Nuk ka bërë asnjë konsultim me grupet e interesit, Urdhrin e Psikologëve, të Mjekëve dhe të Farmacistëve. Nuk jep asnjë sqarim mbi impaktin ekonomik që do të ketë ai urdhër tek sistemi shëndetësor. A do t'i hiqen fondet shërbimeve jetëshpëtuese siç është spitali onkologjik apo jo, për t'u dërguar tek mbulimi i shpenzimeve për trajtimin hormonal…
© SYRI.net