Skandali me reformën, avokati: Pasoja katastrofike, sistemi ka dështuar, qytetarët nuk marrin drejtësi...

10:12, 04/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një situatë dramatike po zhvillohet në sistemin e drejtësisë shqiptare, ku qytetarët e thjeshtë po kthehen në humbësit e vetëm të një reforme të paralajmëruar si të dështuar. Zbatimi i hartës së re gjyqësore ka krijuar një stok të paprecedentë dosjesh, duke e bërë marrjen e një vendimi përfundimtar një mision thuajse të pamundur.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Durim Bajramaj, Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë i cili ishte i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv, një qytetar duhet të presë minimalisht 8 deri në 10 vite për të përmbyllur një proces gjyqësor nga shkalla e parë deri tek Apeli. Në rastet kur çështja kalon në Gjykatën e Lartë ose kthehet për rishqyrtim, ky kalvar mund të zgjasë nga 15 deri në 20 vite. Kjo vonesë ekstreme konsiderohet si një anomali patologjike për një shtet demokratik me një popullsi prej vetëm 2 milionë banorësh.

Institucionet përgjegjëse, konkretisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë, akuzohen për mungesë vizioni dhe dështim në menaxhimin e krizës. Konceptimi i kësaj harte gjyqësore po cilësohet si një lëvizje katastrofike, për të cilën ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Më shqetësues mbetet fakti se ky sistem u paralajmërua nga ekspertët se nuk do të funksiononte, pasi një eksperiment i ngjashëm me një Gjykatë të vetme Apeli ishte provuar mes viteve 1994 dhe 1998 dhe kishte dështuar.

Flavio Qarri: Sigurisht që ju i riktheheni në fakt një proteste që keni bërë, keni qenë në këtë studio në kohën e diskutimit të hartës gjyqësore dhe tanimë duket sikur koha ju dha të drejtë. Është qejf të thuash, ju a kishim thënë?

Durim Bajramaj: Nuk e kam thënë absolutisht s'e kërkojmë revansh për të thënë që koha na dha të drejtë, për të marrë flamurin e fitimtarit sepse këtu, nuk ka fitues. Këtu ka vetëm humbës. Këtu ka humbur qeveria, këtu ka humbur gjyqësori shqiptar, këtu kanë humbur mbi të gjitha qytetarët shqiptarë që nuk kanë marrë aksesin në drejtësi. Pra nuk mund të flitet për fitues në këtë histori, por mund të flitet vetëm për humbësa. Dhe humbësit kryesorë në këtë histori, jam duke e përsëritur, janë qytetarët shqiptarë. Sot ashtu siç e kemi shprehur edhe në qëndrimin tonë si dhomë, drejtësia shqiptare ndodhet përballë një stoku dramatik çështjesh. Sot një qytetar shqiptar për të marrë drejtësi, për t'u dëgjuar përpara një gjyqtari, duhet të presë me vite të tëra. Duke nisur nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit, derisa vendimi merr formë të prerë, duhet të kalojnë minimalisht 8 deri në 10 vite. Pa ju referuar pastaj gjykimit që mund të shkojë në Gjykatën e Lartë dhe mund të kthehet për rishqyrtim pastaj që shkon edhe në 15 deri në 20 vite. Pra kjo nuk është ligjore, kjo nuk është logjike, kjo nuk është normale në një shtet demokratik.

Në çdo shtet normal institucionet përgjegjëse për drejtësinë duhet të parashikojnë krizën, duhet të ndërhyjnë në kohë, të krijojnë politika parandaluese dhe në fund të fundit në një shtet ligjor dhe demokratik dikush mban përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Vetëm në Shqipëri s'ndodh kjo. Po i kthehem prapë hartës gjyqësore. Kur ne e thamë dhe e stërthamë që një shpërndarje e tillë e hartës gjyqësore, një konceptim i tillë i hartës gjyqësore është i gabuar sepse pasojat do të jenë katastrofike për sistemin gjyqësor, dhe ashtu siç e thatë juve, koha na dha të drejtë, që mua më vjen keq që na dha të drejtë, sepse do të kërkoja sinqerisht që ta kishim ne gabim, që sot gjyqësori shqiptar të ishte shumë hapa përpara nga çfarë ishte dhe do thosha dhe s'kam për turp fare, do të kërkoja ndjesë që 'po u bë diçka e mirë dhe ne jemi më mirë se ç'ishim dje'. Por ne jemi më keq se ç'ishim dje. Ne duhet të pranojmë dhe duhet të themi që 'ishim mirë kur ishim keq'. Pra, harta gjyqësore sot është e dështuar dhe institucioni kushtetues përgjegjës për këtë që është Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk po vepron. Por jo vetëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, nuk do ta konsideroja përgjegjës vetëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, do konsideroja përgjegjës edhe Ministrinë e Drejtësisë si hartuese e politikave të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë. Të dyja këto institucione janë institucione përgjegjëse për gjendjen e gjyqësorit shqiptar sot.

Flavio Qarri: Po, kam një kuriozitet Bajramaj. Çdo dhomë avokatie e kishte paralajmëruar, çdo qytetar po e provon në kurriz, prokurorët dhe gjykatësit sigurisht edhe ata e përjetojnë. Qëllimi i kësaj dhe kush përfiton nga kjo çmenduri kolektive në sistemin e drejtësisë?

Durim Bajramaj: Shiko, po është e vërtetë që nuk ishim vetëm ne, ishin dhe dhomat e tjera vendore, ishte dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë që e paralajmëroi. Ne e kishim të provuar këtë, sepse ka qenë dikur me një gjykatë apeli, dikur nga viti 94 deri në vitin 98, dështoi dhe u bënë me këtë sistem. Pra, ne nuk është se e parashikuam, ne kishim prova që ishte e provuar ky sistem dhe dështoi. Pra ti një eksperiment që e ke bërë dhe të ka dhënë, nuk të ka dhënë rezultat, atëherë përse eksperimenton prapë? Ajo që më intereson sot është që ky sistem ka dështuar. Qytetarët shqiptarë nuk marrin akses në drejtësi dhe pa ju futur të problemeve të tjera, kosto, afati e të tjera e të tjera. Pra thashë, e përsëris prapë, një qytetar shqiptar që të marrë një vendim të formës së prerë do t'i duhen deri në 10 vite. Dhe është e tmerrshme që një kohë e tillë në Republikën e Shqipërisë, me një popullsi prej 2 milionë banorë jemi a s'jemi në këto momente, që të hallakatet nëpër sistemin gjyqësor shqiptar deri në 10 vite për të marrë një vendim të formës së prerë...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco