Ndërsa Maqedonia e Veriut është përfshirë në një debat të ashpër rreth përfshirjes së gjuhës shqipe si e drejtë e studentëve shqiptarë gjatë provimeve, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ishte në heshtje totale.
Ndryshe nga ajo, ish-ministrja dhe deri para pak ditësh në krye të diplomacisë, sot vetëm deputete në radhët e socialistëve, Elisa Spiropali, reagoi duke dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Përveç mbështetjes për studentët, Spiropali duket se ka lënë një mesazh edhe për pasardhësin e saj në krye të diplomacisë shqiptare, kur shprehet se: “Një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja”.
Dy orë më pas reagoi dhe ministria e Jashtme.
Reagimi i Spiropalit
Spiropali ka ndarë thirrjen e studentëve për protestë, duke u shprehur se të protestosh për gjuhën shqipe tregon se diçka shumë thelbësore nuk po funksionon.
“Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim. Sidomos për dy vende mike, që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët”, shkruan Spiropali.
Gjithashtu, ajo nënvizon se është e rëndësishme që një shtet të garantojë gjuhën dhe të forcojë barazinë.
REAGIMI I PLOTË:
Një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja. Kështu ka qenë ngahera.
Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet.
Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri.
Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional.
Është e drejtë themelore.
Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore.
Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij.
Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.
Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim.
Sidomos për dy vende mike, që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët.
Reagimi i ministrise se Jashtme
E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe.
Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.
Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.
#Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve.
#Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara.
© SYRI.net