Bashkia e Vlorës u detyrua të paguajë 766 milionë lekë për pronarin e lokalit “Taushani”, pas vendimit të gjykatës për prishjen e objektit. Shuma është më e lartë se ajo që u raportua fillimisht (700 milionë lekë), duke ngjallur pyetje të shumta.
Lidhur me këtë vendim u ngritën dilema si: a do të paguhen këto para nga buxheti i qytetarëve, apo nga xhepat e vetë Bashkisë? Gjithashtu ngrihet pyetja nëse Bashkia e Vlorës ka marrë pjesë aktivisht në gjykatë për të mbrojtur interesin e saj, nëse pronësia e lokalit ishte e dokumentuar, dhe pse humbja e gjyqeve të tilla po ndodh shpesh.
“Sa blloqe banimi mund të ndërtoheshin me 766 milionë lekë?”, thuhet në postim, duke kritikuar edhe menaxhimin e fondeve publike. Në dokumentat mëposhtë nënvizohen gjithashtu dyshime për një mungesë të përfaqësimit të bashkisë në procesin gjyqësor, duke lënë vend për spekulime se ndoshta bashkia nuk kishte interes të fitonte gjyqin.
Ky vendim ngre shqetësime mbi transparencën e përdorimit të parave publike dhe mënyrën se si Bashkia e Vlorës menaxhon çështjet gjyqësore, duke e bërë rastin një debat të ri mbi prioritetet e financave lokale.
Postimi:
Të më falni të nderuar!
Bashkia e Vlorës do paguaj 766 milionë lekë... jo 700 për prishjen e lokalit "Taushani".
Tani ma shpjegoni pak, këto lekët do i paguajmë ne, apo do i paguani ju nga lekët tuaja?
Ne more ne.... ne!
A e mbrojti Bashkia e Vlorës gjyqin?
A mori pjesë në gjykatë Bashkia?
Apo e la vetë ta fitonte Taushani?
A kishte Taushani pronësi mbi atë lokal?
A kishte qeveria vendim prishje për ndërtimin e projekteve publike?
A e dini se sa gjyqe humbet Bashkia kështu, vetëm se nuk dërgon përfaqësues që të mbrojnë palën "Bashkia"?
Apo Bashkia vetë kishte interes që gjyqin ta fitonte Taushani?
A e dini se sa blloqe banimi mund të sistemoheshin me 760 milionë lekë?
#Disidentët
© SYRI.net