Vendimet e fundit të qeverisë janë një demonstrim i hapur i hipokrizisë politike dhe i mungesës së përgjegjësisë morale.
Ndërsa SPAK ka çuar në arrest shtëpie drejtues institucionesh kyçe për afera korruptive dhe manipulim tenderash, kryeministri Edi Rama zgjedh të mbrojë Belinda Ballukun, duke i lënë asaj të paprekur pushtetin dhe influencën, ndërsa “pastron” fasadën me shkarkime të vartësve të saj.
Largimi i Gentian Gjylit dhe Erald Elezit nuk përbën akt drejtësie, por një manovër shpëtimi politik. Më alarmuese është fakti se zëvendësimet nuk sjellin asnjë ndarje nga skemat e dyshuara korruptive: Ami Kozeli dhe Viola Haxhiademi janë produkte të së njëjtës strukturë, njerëz të Ballukut, që riciklohen nga një institucion në tjetrin për të ruajtur kontrollin absolut mbi paratë publike.
Në vend që të mbajë përgjegjësi politike për një ministri të zhytur në skandale, Rama zgjedh të ndërtojë një mur mbrojtës rreth Ballukut, duke sakrifikuar figura dytësore për të shpëtuar hierarkinë. Ky është modeli klasik i pushtetit që nuk lufton korrupsionin, por e administron atë, duke e kamufluar me lëvizje administrative dhe propagandë.
Mesazhi për publikun është i qartë: drejtësia lejohet të veprojë vetëm deri aty ku nuk cenon pushtetin politik. Për sa kohë që përgjegjësia ndalet te vartësit, ndërsa ministrat mbeten të paprekshëm, “reforma” mbetet një mashtrim dhe lufta kundër korrupsionit – një farsë e orkestruar nga vetë qeveria.

© SYRI.net