I kthyer në personazh viral pas akuzave të faqeve pro-qeveritare se ankohej për papunësinë ndërsa mbante veshur një xhup “1000 dollarësh”, studenti i juridikut Eljon Kaja ka rrëfyer historinë e tij në 'Kafe Shqeto' dhe të vërtetën e hidhur me të cilën përballen mijëra të rinj në Shqipëri.
Përtej ironisë së xhupit, të cilin ai vetë e ofroi ta shiste për 500 dollarë për të paguar qiranë e pesëfishuar, qëndron një dramë e vërtetë: pamundësia për të gjetur një vend pune pa ryshfet dhe pa ndërhyrje partiake.
Kaja zbuloi se pas përfundimit të studimeve për drejtësi, nuk iu desh të kërkonte punë, por ishin “sekserët” ata që e gjetën. Njëri prej tyre, shoferi i një drejtori, i ofroi një vend pune në administratën shtetërore kundrejt një shume prej 10,000 eurosh.
Rroga për këtë pozicion ishte 550,000 lekë të vjetra, çka do të thotë se do t’i duheshin rreth katër vite punë vetëm për të shlyer borxhin e ryshfetit. Kjo, sipas tij, është “diploma” e vërtetë që të ofron realiteti shqiptar.
Rasti i tij nuk është i vetmi. Ai tregoi shembullin e një vajze nga vendlindja e tij, e cila me mesatare të shkëlqyer dhe diplomë master në infermieri, ka pesë vite që aplikon pa sukses në portalet shtetërore, duke u refuzuar vazhdimisht. Historia e përballjes së tij me sistemin ka nisur që herët. Edhe pse student me mesatare 8.5, bursa i ishte mohuar pasi nuk ishte anëtarësuar në forumin e partisë në pushtet, por në atë të opozitës.
“Bursën e përfituan militantët e partisë me mesatare 7.2”, shprehet ai. Sipas Kajës, asnjë nga bashkëmoshatarët e tij nuk punon në profesionin për të cilin është diplomuar.
Shumica përfundojnë si kamarierë apo në punë të tjera të paguara keq, pa asnjë shpresë për të ndërtuar një të ardhme. Me një qira 750,000 lekëshe në Tiranë dhe një rrogë potenciale 500,000 lekëshe, krijimi i një familjeje apo një jete normale duket një mision i pamundur. I riu shprehet se shpresa e vetme për ndryshim është frymëzimi dhe organizimi i rinisë për protesta masive.
Deklarata e plotë:
"Para gjashtë vitesh erdha në Tiranë si student me mesatare 8.5. Aplikoja për bursë, por nuk e përfitova, ndërsa ata me mesatare më të ulët, pjesëtarë të partisë, përfituan. Unë u anëtarësova te PD-ja, dhe përballja me këtë sistem ishte e qartë që në fillim.
Gjatë studimeve punova kamarier, pagova qera dhe blija pajisje për të ndjekur mësimin online gjatë periudhës së Covid-it, ndërkohë që shumë të tjerë kishin avantazhe përmes lidhjeve dhe patronazhistëve.
Pas diplomimit, ofroheshin poste dhe mundësi pune përmes ryshfetit dhe ndikimeve politike. Shumë të rinj të brezit tim, edhe pse me master dhe mesatare të shkëlqyer, nuk gjetën punë në zanatet e tyre dhe nuk mund të ndërtonin të ardhmen.
Problemi nuk është vetëm tregu i punës, por edhe patronazhistët dhe familjet që pengojnë që të rinjtë të bashkohen dhe të përparojnë.
Megjithatë, besoj se ka mundësi për ndryshim. Të rinjtë kanë nevojë për frymëzim, mbështetje dhe drejtësi, dhe opozita duhet të jetë zëri i tyre. Unë kam qenë pjesë e protestave dhe jam arrestuar për thirrjet e mia për drejtësi, por besoj se kjo është e nevojshme për të ndryshuar situatën.
Duhet të bëhet një bashkim madhështor i të rinjve, që të përballen me padrejtësitë dhe të kërkojnë shanse të barabarta. I bëj apel Sali Berishës dhe liderëve të opozitës që të udhëheqin këtë lëvizje dhe të sigurojnë që zëri i të rinjve të dëgjohet.
Ky është brezi që ka sakrifikuar, ka punuar dhe studiuar, dhe që nuk duhet të humbasë shpresën për një të ardhme më të mirë në Shqipëri.
Realiteti është i ashpër, por ndryshimi është i mundur. Të rinjtë duhet të mbështeten, të frymëzohen dhe të kenë mundësi për të realizuar ëndrrat e tyre pa u penguar nga korrupsioni dhe nepotizmi. Ky është momenti për të ndërtuar një shoqëri ku meritokracia dhe drejtësia janë parimet kryesore".
© SYRI.net