Seanca parlamentare është tensionuar gjatë diskutimeve për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Oerd Bylykbashi ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar se çdo kandidat i zgjedhur pa konsensusin e opozitës do të jetë “i goditshëm” dhe “100% i kontestuar”.
Duke iu referuar historisë politike, deputeti solli në vëmendje marrëveshjen e 5 prillit 2002, të cilën e cilësoi si “gurin e themelit” që vendosi parimin e konsensusit mes palëve për emërimet e larta, përfshirë Presidentin dhe Avokatin e Popullit. Sipas tij, ky parim duhet të zbatohet edhe sot, pavarësisht se Partia Socialiste zotëron shumicën e cilësuar, duke theksuar se zgjedhja duhet të bëhet “me kompromis”.
Noka deklaroi se edhe faktori ndërkombëtar, konkretisht Bashkimi Evropian, nuk e mbështet një proces të njëanshëm. Ai pohoi se BE-ja pret që parlamenti shqiptar të marrë kohën e nevojshme për të gjetur një kandidat që votohet me konsensus të gjerë dhe që përmbush kriteret e kërkuara.
Në fjalën e tij, deputeti përmendi se më datë 2 dhjetor ishte dorëzuar një kërkesë zyrtare për një proces mirëkuptimi dhe konsensualiteti. Ai vuri në dukje se ndërsa Komisioni i Ligjeve vendosi datën 2 dhjetor si afat për paraqitjen e kandidaturave, neni 72 i rregullores i jep të drejtën propozuesit që ta tërheqë propozimin në çdo moment, duke lënë të kuptohet se procesi është ende i hapur për negociata.
Deputeti e mbylli fjalën e tij me një akuzë direkte, duke thënë se mazhoranca po tenton të “vjedhë” postin e Avokatit të Popullit, ashtu siç “vjedh shqiptarët me buxhetin”. Ai paralajmëroi se një kandidat i zgjedhur në këtë mënyrë do të ishte i vetmi në historinë e Kushtetutës së vitit 1998 që do të kontestohej plotësisht, si nga pikëpamja ligjore ashtu edhe politike.
Oerd Bylykbashi: Zoti kryetar i kuvendit. Këtu më parë u përmend marrëveshja e 5 prillit 2002. Unë kam qenë aty prezent. Dhe në atë marrëveshje, guri i themelit ka qenë arritja e konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës për të bërë me votim të përbashkët Presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, Prokurorin e Përgjithshëm e tjerë me radhë. Reformën e parë konsensuale, pavarësisht se Partia Socialiste kontrollonte 84 mandate ajo plus katër të Partisë Socialdemokrate, 88. Pra, pavarësisht shumicës së cilësuar, do të bëhesh me kompromis. Kjo është e vërteta. Asnjë gjë tjetër aty. Pavarësisht se norma thoshte kush ka 84, faktori ndërkombëtar tha jo, do ta bëni me konsensus. Jua përsërita pak më herët. Bashkimi Europian nuk e mbështet këtë legjitimitet.
Bashkimi Europian është i gatshëm që ky parlament të marrë kohën derisa të gjejë kandidatin që votohet me konsensus në përputhje dhe me kriteret. Ata janë gjithashtu të ndërgjegjshëm se në këtë moment nuk ka asnjë kandidaturë me firma. Po ju them diçka, ju përmenda nenin 72. Po ju them që me datë 2 dhjetor është çuar kërkesa për një proces mirëkuptimi dhe konsensualiteti bazuar mbi praktika të tjera të parlamentit. Ju them që vendimi i datës 17 nëntor i komisionit të ligjeve me datë 17 nëntor thotë që afati për paraqitjen e kandidaturave është 2 dhjetor. Nuk thotë asgjë për tërheqjen e tyre. 72-shi i rregullores i jep të drejtën atij që është zot i propozimit dhe i firmës ta tërheqë në çdo moment propozimin. Dhe ku ka më të rëndësishëm se propozimi për një projektligj që ka një deputet? Projektligj, projektvendim, rezolutë.
© SYRI.net