Nga Besart Xhaferri
Agjensia imobiliare Aruba Real State sot shpalli Edi Ramën agjentin imobiliar më të mirë të vitit!
Edi Rama, lëri dronët Bayraktar mbi kantierët e ndërtimit, po për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionin në ndërtim kur do flasim?
Kryeministri, që me bekimin e tij ka lejuar që paratë e inceneratorëve dhe narkotrafikut të injektohen në ndërtim në Tiranë dhe në bregdet në një masë aq të madhe sa ngriti alarmin edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, sot duke folur me gjuhën e një njeriu që ka 12 muaj në karrigen e kreut të qeverisë dhe jo 12 vite, u zotua se do të ngrejë dronë mbi kantierët e ndërtimit.
Edi Rama deri më sot nuk ka thënë as gjysmën e një fjale për raportin e DASH, i cili flet për pastrimin e parave të karteleve të drogës në ekonominë shqiptare, që është i fokusuar në dy drejtime: ndërtim dhe investime strategjike në bregdet.
Si ndërtimi ashtu edhe investimet strategjike kanë një emërues të përbashkët: firmën e Edi Ramës, njeriut që ka monopolin e lejeve të ndërtimit dhe investimeve strategjike, të cilat sipas DASH janë privilegj i miqve të tij oligarkë.
Thirrjet e tua drejtuar qytetarëve evropianë për të blerë prona në Tiranë, në fakt janë thirrje për kartelet që të mos shqetësohen nga alarmi i DASH-it, por të vijnë të "investojnë" në Shqipëri.
Narkokriminalizimi i ekonomisë ka pasur pasoja dramatike për mijëra sipërmarrës shqiptarë, kryesisht ata që kryejnë eksporte, teksa Shqipëria është rast unik në botë kur GDP-ja rritet në një ekonomi që nuk prodhon asgjë.
© SYRI.net