Zbatimi i rekomandimeve/ Bardhi: Institucionet e kapura nuk mund të vonojnë më raportimet e opozitës

11:34, 03/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Komisionin e të drejtave të njeriut tha se opozita nuk mund të presë kohën e lirë të institucioneve të kapura dhe të angazhohet sipas kalendarit të komisioneve që favorizon qeverinë.

 Ai theksoi se mbledhjet e përbashkëta me komisionin parlamentar për nisma qytetare dhe monitorimin e institucioneve janë të domosdoshme, por nuk mund të përdoren si një justifikim për të vonuar raportimin e institucioneve.

Bardhi nënvizoi se shumica e institucioneve të pavarura, të krijuara me ligj, kanë vetëm pak muaj për të përmbushur rekomandimet e Kuvendit për vitin 2025, ndërkohë që raportimet janë vonuar tashmë rreth gjashtë muaj nga afatet ligjore.

Ai kërkoi që raportimi i AMA-s të afrohet në një datë më të hershme për t’u përballur me shqyrtimin në seancën plenare të datës 16, duke e konsideruar vonesën si një shqetësim serioz për funksionimin e demokracisë dhe llogaridhënies së institucioneve.

Deklarata e tij:

"Ne e kemi diskutuar në Konferencën e Kryetarëve, punën e mbledhjeve të përbashkëta me komisionin parlamentar për nisma qytetare, monitorimin e institucioneve, dhe kemi rënë dakord se do të bëjmë mbledhje të përbashkëta.

Por kjo nuk nënkupton se duhet të presim kur ata kanë kohën e lirë, së pari sepse ata do të duhet të angazhohen në 10 komisione parlamentare, çështje e tyre e organizimit të tyre.

Ne kemi një kalendar të miratuar nga seanca plenare, e cila cakton afatet se kur do shqyrtohen projekt-rezolutat dhe kur do të bëhet raportimi i institucioneve në seancë plenare, dhe duhet të ndjekim ato afate që ka caktuar Konferenca e Kryetarëve, si dhe seanca plenare në kalendarin e punëve të Kuvendit të tre javëve në vijim.

Unë mendoj se raportimi i AMA-s është lënë në një kohë të vonë, edhe për faktin se, siç theksoi zonja kryetare, ne jemi pothuajse 6 muaj vonë nga raportimi që rregullorja e Kuvendit dhe ligjet specifike detyrojnë këto institucione të bëjnë në Kuvend.

Pra, ne do të përgatisim rezolutat dhe rekomandimet për vitin 2025, ndërkohë që po përfundon ky vit. Praktikisht, i kemi lënë institucionet e pavarura, ose ato të krijuara me ligj, vetëm dy muaj kohë për të përmbushur rekomandimet e Kuvendit për 2025.

Nëse do të ishte e mundur, edhe për të kapur datën 16 që kalendari e ka përcaktuar për shqyrtim në seancë, raportimin e AMA-s ta afroni në një datë më të afërt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco