Konstituohet Komisioni i Edukimit, Boçi: Për arsimin vetëm fjalë të bukura, në realitet ka punë të shëmtuara

Konstituohet Komisioni i Edukimit, Boçi: Për arsimin vetëm fjalë të bukura, në realitet ka punë të shëmtuara

19:48, 01/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituuese për këtë legjislaturë, ku miratoi edhe kalendarin e punës për periudhën 1–19 tetor 2025.

Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit, deputeti demokrat Luçiano Boçi u ndal te disa prej sfidave me të cilat përballet arsimi sot, ndërsa theksoi rëndësinë e tij për të ardhmen e vendit.

“Në këtë komision duhet të marrim përsipër një përgjegjësi që tejkalon përfaqësimin tonë politik dhe sallat e Kuvendit, sepse arsimi dhe edukimi janë themelet e të ardhmes dhe mjeti i vetëm që garanton përparimin cilësor dhe shanse të barabarta për të gjithë brezat”, u shpreh ai.

Si drejtues i komisionit, Boçi u angazhua që fjala e lirë dhe përgjegjësia politike dhe individuale e secilit prej anëtarëve të ketë hapësirën e vetë në këtë komision, ku duhet të debatohet me ide e të përplasen mendime të domosdoshme, që në themel i shërbejnë përmirësimit të hallkave të sistemit tonë arsimor.

Boçi theksoi se duke garantuar arsim cilësor, të drejtë dhe gjithëpërfshirës mund t’i shërbejmë vendit.

“Sot ndeshemi me një realitet jo të lehtë për arsimin. Kemi dëgjuar shumë fjalë të bukura, por në realitet ndeshemi më shumë me punë të shëmtuara. Arsimi është shpallur prioritet, por sot ka përfunduar në një inferioritet”, shtoi ai.

Boçi renditi disa prej problematikave që ndeshen në arsim, ndërsa u shpreh se besueshmëria e publikut ndaj cilësisë së arsimit është në kuotat më të ulëta historike dhe është ndër shkaqet kryesore që një pjesë e të rinjve largohen nga Shqipëria.

“Kemi përkeqësim të treguesve arsimorë. Jemi të fundit në testin PISA për arsimin parauniversitar. Jemi me universitete të parankuara dhe me kërkim shkencor inekzistent. Kemi humbur në arsimin parauniversitar gati 160 mijë nxënës që nga vitit 2013 dhe përafërsisht edhe kaq studentë. Janë mbyllur shkolla të tëra, kemi akoma klasa kolektive dhe mësimdhënie me turne”, shtoi ai.

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet shqyrton brenda fushave të përgjegjësisë projektligjet, projektvendimet dhe çështjet e tjera që paraqiten në Kuvend. Ky komision  kryen studime për efektivitetin e ligjeve në fuqi, ndjek zbatimin e ligjeve dhe kontrollon veprimtarinë e ministrive dhe të organeve të tjera qendrore, duke i propozuar Kuvendit ose Këshillit të Ministrave marrjen e masave përkatëse, si dhe propozon për miratim në Kuvend projektligje, projektdeklarata ose projektrezoluta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco