Juristi Franc Nuri, i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka deklaruar se Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje penale me dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, duke e cilësuar si vepër penale.
Nuri kërkoi që SPAK të hetojë Begajn për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’.
‘Kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit, por unë do të shkoja dhe më tej. Unë e vlerësoj si shkelje në aspekt penal. E konsideroj ‘shpërdorim detyre’, por pastaj i ngelet SPAK që ka për detyrë të hetojë nëse ka apo jo shpërdorim detyre. Shpërdorimin e detyrës ka të bëjë me tejkalimin e kompetencave.
Dhe në këtë rast, presidenti jo vetëm ka shkelur Kushtetutën, sepse nuk po respekton aspak germën dhe nenin Kushtetues i cili e sanksionon mjaft qartë që vendimi i Këshillit të Ministrave i cili ka formalizuar shkarkimin e një kryetari bashkie, vendimi pezullohet automatikisht në momentin që ky kryetar bashkie ankohet në Gjykatë Kushtetuese për shkarkimin e tij,’ u shpreh juristi.
Ai shtoi se ky nuk është rast i izoluar dhe se ka edhe precedentë të ngjashëm në të kaluarën:
‘Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Ka ndodhur dhe më herët e ka edhe precedentë, ky kryetarë bashkisë janë shkarkuar nga detyra, janë ankuar në Kushtetuese, është pezulluar vendimi, dhe nuk hyn në fuqi dhe të gjithë duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.’
Nuri e cilësoi situatën si mjaft të rëndë dhe theksoi se Kushtetuta po shkilet hapur:
‘Është mjaft e rëndë ajo që po ndodh, po shkelet me të dy këmbët Kushtetuta dhe nuk është hera e parë, për interesa të qeverisë, mazhorancës apo dikujt tjetër, kjo mbetet për t’u parë. Por nuk mundet që Kushtetuta e Shqipërisë të hidhet si një letër pa vlerë.’, tha ndër të tjera Franc Nuri në SYRI TV.
© SYRI.net