Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë nga Presidenti Bajram Begaj, vendim që sipas tij është marrë në kundërshtim me Kushtetutën.
Edhe pse i shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj e ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave për largimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, çka duhej të sillte automatikisht ndërprerjen e procedurës për zëvendësimin e tij.
Sipas Muçit, kreu i shtetit ka tejkaluar kompetencat duke marrë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
‘Ajo që më bie në sy mua, është se ne kuptojmë se, presidenti mori rolin e interpretuesit fundor të Kushtetutës së Shqipërisë, me dekretin e tij. Doli nga funksioni i tij kushtetues dhe mori një nga funksionet kryesore që ka Gjykata Kushtetuese, dhe që ka çdo gjykatë në fakt kur shqyrton kërkesat, që është; verifikimi i legjitimit të palëve. Dhe ky është një atribut në rastin konkret, vetëm i Gjykatës Kushtetuese’, tha Muçi.
Ai shtoi se askush tjetër nuk ka kompetencë të përcaktojë se ku mund të ankimojë një individ një vendim, përveç Gjykatës Kushtetuese.
‘Askush nuk mundet të përcaktojë se, ku duhet dhe ku duhet të ankimojë një individ në rastin konkret kryetari i bashkisë, ku mund të ankimojë një akt, nga i cili ai pretendon se janë shkelur liritë dhe të drejtat themelore të tij. Në këtë rast duhej të ishte Gjykata Kushtetuese, por ndërkohë e ka marrë përsipër presidenti’, theksoi ai.
Muçi nënvizoi se Presidenti Begaj ka anashkaluar faktin se Erion Veliaj ka bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij, i cili sipas Kushtetutës i takon të shqyrtohet vetëm nga kjo gjykatë.
‘Presidenti anashkalon një fakt të qartë; Veliaj ka bërë ka bërë ankimim në Kushtetuese për shkarkimi, dhe shkarkimi për mendimin tim, sipas nenit 115 të Kushtetutës është një veprim që e kryen Këshillit të Ministrave i cili automatikisht ankimohet në Gjykatën Kushtetuese’, tha ndër të tjera, avokati Besnik Muçi në SYRI TV.
© SYRI.net