Presidenti i Republikës dekretoi ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për Bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Vendimmarrja e mësipërme e Presidentit është rezultat i marrjes së njoftimit nga Këshilli i Ministrave për vakancat e krijuara në disa bashki të vendit. Ndryshe nga rastet e tjera, Bashkia Tiranë mbart një specifike, pasi vakanca u krijua pasi Këshilli i Ministrave shkarkoi kryetarin e burgosur për korrupsion.
Më poshtë do të analizojmë disa momente juridike, të cilat argumentojnë shkeljet e konsumuara nga Presidenti i Republikës në dekretimin e datës së zgjedhjeve:
1. Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete (Neni 93 i Kushtetutës). Pra dekreti është akti kushtetues i cili bën të zbatueshme kompetencat e Presidentit. Çdo akt ligjor, si kërkesë minimale të tij, ka arsyetimin. Pa arsyetim nuk ka akt juridik të vlefshëm. Këtë standard duhet të përqafojë edhe dekreti i Presidentit, pavarësisht se është bërë e modës qeë dekretet e Presidentit të mos arsyetohen. Mbase kjo vjen për shkak të kompetencave formale që Presidenti ushtron.
Sa herë që kreu i shtetit e çmon të nevojshme arsyetimin e vendimmarrjeve të tij, duhet t’i japë ato në dekret. Ditën e sotme, presidenti dha arsye pse dekretoi zgjedhjet edhe për Bashkinë Tiranë, por arsyet i dha ne një njoftim për median dhe jo nëpërmjet dekretit. Kjo është një shkelje e rëndë, jo vetëm formale por edhe substanciale e Kushtetutës. Aktet kushtetuese arsyetohen brenda suazës juridike dhe jo në njoftime për shtyp.
2. Në njoftimin për media, shpërndarë ditën e sotme, Presidenti arsyeton se: "Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ."
Në mënyre flagrante, Presidenti lexon dhe zbaton keq Kushtetutën. Qeverisja vendore për shkak të rëndësisë qe mbart, rregullohet në mënyrë të posaçme nga Kushtetuta. (Pjesa e gjashtë e kushtetutës.)
Kushtetuta parashikon shprehimisht se cilët janë organet e qeverisjes vendore, organizimin dhe funksionimin e tyre. (Neni 108 i Kushtetutës.) Ndër të tjera, parashikohet shprehimisht edhe kohëzgjatja e mandatit, të kryetarit të bashkisë. (Neni 109 pika 2 e Kushtetutës).
Në kuadër të korpusit të garancive kushtetuese për qeverisjen vendore, është neni 115 i kushtetutës, i cili parashikon se: "Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve." Po i njëjti nen, në pikën 2, jep garanci të nivelit kushtetues duke arsyetuar se: "2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave, pezullohet."
Në shkelje të Kushtetutës, Presidenti kategorizon si të ndryshëm procedurën e parashikuar nga "Kushtetuta" dhe atë të parashikuar nga "ligji" për shkarkimin e kryetarit të bashkisë.
Sipas Tij: " shkarkimi i kryetarit të bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative."
Ky interpretim shkel Kushtetutën dhe zhbën gjithë praktikën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, për "rezervën ligjore". Mandati i Kryetarit të Bashkisë ka rregullim kushtetues, ashtu si edhe mënyra e shkarkimit apo ankimimit ndaj saj.
Në pikëpamje të çdo mendimi të bazuar kushtetues, arsyetimi i mësipërm i Presidentit nuk qëndron, pasi nuk ka se si të parashikojë ligji raste apo procedura shkarkimi, të veçanta, të cilat ndërpresin mandatin kushtetues, përtej autorizimit që kjo e fundit jep.
Pra, nuk kemi 2 parashikime ligjore për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë. Procedura e shkarkimit të tij është vetëm 1, ajo e parashikuar nga neni 115 i kushtetutës, rastet e të cilit, në respekt të rezervës ligjore relative janë detajuar nga neni 62 i ligjit "për vetëqeverisjen vendore".
Për të bindur edhe më skeptikun ndaj kësaj mënyre analize, kujtojmë se neni 115 i Kushtetutës parashikon se: "Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve." Të njëjtin parashikim identik bën edhe neni 62 i ligjit "për vetëqeverisjen vendore": " Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;"
Pra ka vetëm një procedurë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, ajo e parashikuar nga neni 115 i kushtetutës dhe detajuar nga neni 62 i ligjit "për vetëqeverisjen vendore".
Një argument tjetër, në mbështetje të linjës së mësipërme arsyetuese është edhe fakti se ligji "Për vetëqeverisjen vendore", nuk parashikon procedurën e shkarkimit apo ankimimit të Krytarit të Bashkisë.
Sa më sipër tregon se Presidenti, me dekretimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, veçanërisht me arsyetimin që i bën Kushtetutës, e shkel rëndë këtë të fundit.
© SYRI.net