Menjëherë pas shpalljes së kandidaturës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ka ardhur edhe reagimi nga ana e këshilltarëve të opozitës në Bashkinë më të madhe në vend.
Në një reagim në rrjetet sociale, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, tha se me vendimmarrjen e komunikuar këtë të enjte nga Rama, u vërtetua tanimë se Tirana drejtohet nga kryeministri dhe jo Këshilli Bashkiak, siç parashikon ligji.
Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme prej muajsh të këshillatrëve të opozitës, Teliti thotë se është e kotë të presësh vendime nga instancat zyrtar, kur përgjigjet vijnë gjithmonë nga një zyrë të vetme, larg syve të publikut.
‘Kjo situatë na tregon qartë se demokracia është shndërruar në një shfaqje, ku aktorët ndryshojnë, por regjisori mbetet gjithmonë i njëjti’, përmbyll reagimin Teliti.
Reagimi
TIRANËN E DREJTON KRYEMINISTRI DHE JO KËSHILLI BASHKIAK.
Sapo na u vërtetua edhe një herë ajo që e dinim prej kohësh: Tirana drejtohet nga i njëjti njeri që drejton çdo cep të këtij vendi, nga kotecat e pulave deri te Asambleja e PS-së.
Është e kotë të presësh vendime nga instancat zyrtare (prej 4 muajsh kemi kërkuar zgjedhje në Tiranë) kur përgjigjet vijnë gjithmonë nga një zyrë të vetme, larg syve të publikut. Çdo lëvizje, çdo projekt, çdo vendim, ka një firmë të vetme.
Kjo situatë na tregon qartë se demokracia është shndërruar në një shfaqje, ku aktorët ndryshojnë, por regjisori mbetet gjithmonë i njëjti.
© SYRI.net