Njeriu që krenohet me krimet e të atit dhe s’ka kërkuar falje, që vrau priftërinjtë e vari në litar poetët, poston foto të Papës

Njeriu që krenohet me krimet e të atit dhe s’ka kërkuar falje, që vrau priftërinjtë e vari në litar poetët, poston foto të Papës

23:41, 03/01/2024
A+ Aa A-

Etërit e tij politikë e biologjikë kanë vrarë dhjetëra priftërinj dhe varur në litar poetë, Rama nuk kërkoi kurrë falje, por ngjalli regjimin e tyre.

Edi Rama është trashëgimtar biologjik dhe politik i nomenklaturës më të egër diktatoriale në botë, diktaturë e cila masaktroi priftërinjnë e hoxhallarë për të vetmin faj se besonin në Zot. 

Rama jo vetëm nuk ka kërkuar kurrë falje për krimet e etërve të tij biologjikë e politikë, por ka ringjallur regjimin e tyre për së dyti në Shqipëri. 

Edi Rama, i cili ka rehabilituar të gjithë ish-oficerët e sigurimit të shtetit, duke i vendosur në poste kyçe në sistemin e drejtësisë dhe politikës, publikon foton e Papa Françeskut me plis (qeleshe).

Papa Françesku ndoshta nuk e di kush është ky, por babai biologjik i Edi Ramës ka firmosur varjen në litar të poetit Havzi Nela në fund të viteve ‘80 dhe etërit e tij politikë me në krye Enver Hoxhën kanë vrarë priftërinj të Kishës Katolike, 38 prej të cilëve Vatikani i ka njohur si martirë, përgjatë viteve 1944 - 1989.

Dhe këtë gjë e di mirë Kisha Katolike në Shqipëri, e cila në prag të festave të nëntorit në Shqipëri u ka kërkuar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përdorimin e simboleve komuniste. Ky ligj parasheh edhe dënim për atë që përshkruhet si “krim i apologjisë”, që do të thotë ndalim me ligj i “glorifikimit” të diktatorit Enver Hoxha dhe komunizmit. 

Kisha Katolike në Shqipëri kërkon që të ndiqet shembulli i Italisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë ligje për ndëshkimin e fashizmit dhe nazizmit. 

Kjo kërkesë është bërë në prag të festave të nëntorit – Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë. 

Ky debat është nxitur në këtë periudhë kohore edhe gjatë viteve paraprake, pasi që në përvjetorë të tillë shfaqen shpeshherë simbole komuniste, si portretet e diktatorit Enver Hoxha apo përshëndetja me grusht. Kisha Katolike, gjithashtu, kërkon që kampet apo burgjet e komunizmit të kthehen në muze, të rishkruhen tekstet shkollore të historisë dhe të kufizohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë diktaturës komuniste që promovonin atë periudhë. Kisha nuk kërkon ndalimin e tyre, por kërkon të ketë një parashkrim apo sqarim për publikun për kohën e prodhimit të filmit dhe faktin që ka përmbajtje propagandistike komuniste.

Në 2027, vendi ynë përjeton një përvjetor të errët, ku 60-vjet më parë, në vitin 1967, i gjithë vendi iu nënshtrua një histerie kolektive për të dhunuar shtëpitë e Zotit. Ishte fillimi i fundit të një lufte që diktatura komuniste hapi me besimin fetar në Shqipëri. Janë të shumtë personat që besojnë se ky sakrilegj, është një ndëshkim që ende po e vuajmë, ndoshta për shkak se nuk jemi ndarë nga e shkuara dhe nuk i kemi kërkuar falje asaj. Disa vite më parë, Papa Françesku mbërriti në Shqipëri dhe zyrtarisht motivi ishte për 38 dëshmorët e kishës katolike, që u pushkatuan dhe vuajtën për vite me radhë dhunën e regjimit. Megjithatë kjo nuk shërbeu në 10 vite të kësaj qeverie ku si Kryeministër, Edi Rama nuk është kujtuar kurrë të bëjë diçka konkrete për krimet e komunizmit. Nuk eshte kerkuar falje as nga ai dhe nga askush nga shpura e tij.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco