90-vjeçarja, pre e mashtrimit me inceneratorët. Kush e ka përfshirë Haxhire Gurakuqin në aferën miliona euro?

19:12, 04/07/2022
A+ Aa A-

Haxhire Gurakuqi është 90-vjeçarja e përfshirë padrejtësisht në evazionin gjigand financiar të inceneratorëve. Në një intervistë ekskluzive për SYRI TV, ajo rrëfen se prej rreth dy vitesh e gjysmë jeton në azilin e të moshuarve, ndërsa nuk është në dijeni që rezulton të ketë faturuar miliona euro për kompanitë e inceneratorëve, dhe nuk i njeh personat që e kanë përfshirë në këtë mashtrim.   

SYRI TV

90-vjeçarja Haxhire Gurakuqi shtyn pjesën e mbetur të jetës së saj, në një nga shtëpitë e të moshuarve Tiranë. Aj është një ndër shumë rastet e bashkëmoshatarëve të saj, të cilët jeta dhe rrethanat i kanë detyruar të qëndrojnë larg familjes. Por as vetë Haxhire Gurakuqi nuk e di se është miliardere. Madje, e përfshirë në një skemë gjigande financiare, siç është ajo e inceneratorëve. 

Këtë të hënë, Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, paraqiti disa të dhëna skandaloze për mënyrën se si janë shpenzuar qindra milionë lekë në kompani fiktive, nëpërmjet kompanive të djegësave të mbeturinave.

90-vjeçarja Haxhire Gurakuqi rezulton të jetë pronare e një kompanie private, të quajtur “Sopotonia”, ndërsa më herët, ajo rezulton të ketë qenë pronare e një tjetër kompanie “Lumi 06”.

Kjo shoqëri private, sipas të dhënave të publikuara nga Kryemadhi, rezulton të ketë faturuar për kompanitë e inceneratorëve mbi 5 milionë euro.

Është e sigurt që këtë shumë, Haxhirja as nuk e ka menduar ndonjëherë. 

Syri TV ka shkuar pranë azilit ku ajo është strehuar prej rreth dy vitesh e gjysmë. Teksa na tregon për vështirësitë e jetës së saj, mbijetesën si e ve prej vitesh dhe braktisjen nga djali i vetëm, ajo rrëfen se ka rënë pre e mashtrimit, dhe krejt rastësisht ka marrë vesh se ishte bërë biznesmene. 

Emri i saj rezulton në disa kompani e bashkë me të edhe 93-vjeçari Thanas Çani. Në krah të tyre, sipas dokumentave, gjenden gjithnjë disa personazhe të tjerë, Fatmir Murati, Lumturije Murati e Klevis Murati, të cilët herë ua kanë shitur e herë ua kanë blerë kompanitë të moshuarve.

Teksa i tregojmë foto të këtyre personave dhe i themi emrat e tyre, Haxhire Gurakuqi thekson se nuk ka pasur asnjëherë njohje me ta, por firmën ia kanë marrë dy të panjohur, të cilët sipas saj iu kanë preezantuar si përfaqësues të prokurorisë. 

Asnjë prej institucioneve shtetërore nuk ka verifikuar se si e moshuara Haxhire u shfaq nga askundi dhe u bë pronare e madhe. Askush nuk ka kryer kontrolle se çfarë shiste e blinte Haxhire Gurakuqi, e cila selinë e saj të jetës e ka në Azilin e Pleqve.

Të dhënat e publikuara nga LSI, do të depozitohen pranë Prokurorisë Speciale, dhe nga ky moment, prokurorët e SPAK-ut do të kenë edhe një front të ri hetimor.

Ata mund të zbarkojnë në Azilin e Pleqve për t’i treguar Haxhiresë se është miliardere, por edhe se është e përfshirë në evazionin gjigand financiar të inceneratorëve. 

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i plotë i 90-vjeçares Haxhire Gurakuqi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco