VIDEO/ Gazetari i ‘Le Iene’, tregon se si ambasadori Gazheli ka braktisur një fëmijë shqiptar në Siri

VIDEO/ Gazetari i ‘Le Iene’, tregon se si ambasadori Gazheli ka braktisur një fëmijë shqiptar në Siri

15:18, 08/10/2019
A+ Aa A-

Gazetari italian i emisionit ‘Le Iene’ Luigi Pelazzo ka treguar për SYRI TV dhe SYRI.net se si ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli ka braktisur një fëmijë shqiptar në Siri.

Pelazzo ka treguar në një intervistë për gazetarin Bledian Kokaan Koka, se gazetarët e ‘Le Iene’, kanë mundur që të shkojnë deri në kampin ku qëndron Alvin Berisha, së bashku me babain e tij.

Por autoritetet siriane nuk ua kanë dhënë fëmijën, pasi kërkonin që një diplomat shqiptar të ishte i pranishëm gjatë këtij dorëzimi. Për këtë arsye, gazetari Pelazzo i ka kërkuar ambasadorit shqiptar në Turqi, Gent Gazheli, që të vinte për të qenë i pranishëm në këtë operacion dorëzimi.

Pelazzo ka rrëfyer bisedat me ambasadorin shqiptar në Turqi për çështjen e Alvin Berishës që ndodhet në kampet e Sirisë dhe dështimin e qeverisë shqiptare për të sjellë në Shqipëri 11-vjeçarin.

Gazetari tregon takimin e babait me djalin pas pesë vjetesh ne kampin kurd dhe zhgënjimin nga ambasadori Gent Gazheli, i cili i ka premtuar se do t’ia dërgonte djalin në Itali por e ka gënjyer.

Pelazzo shpjegon gjithashtu se për kjo situata ishte shume e lehte per të marrë një zgjidhje nga diplomacia shqiptare.

Intervista e plotë e gazetarit italian Luigi Pelazzo

Bledian Koka: Zoti Luigi Pelazzo është kënaqësi që ju kam në lidhje direket nga Milano, shumë faleminderit që pranuat ftesën tonë..

Luigi Pelazzo: Faleminderit ju

Bledian Koka: Është një kënaqësi, madje është një detyrë për atë që ju po bëni për një qytetar shqiptar, për Alvin. Doja tu pyesja se si keni rënë në kontakt me këtë histori, me historinë e Alvin Berishës?

Luigi Pelazzo: Ne kemi nisur që të tregojmë historinë e Alvinit rreth pesë vjet më parë. Arsyeja është sepse ne na ka kontakuar babai i Alvin, Afrimi dhe na tregoi se bashkëshortja e tij kishte rrëmbyer djalin dhe ishte larguar drejt Sirisë. Ai arrinte që ta gjurmonte atë nëpërmjetë një telefoni, arrinte të shihte që ishte në Al Bab në Siri. Më pas kemi shkuar me të atin e Alvinit në kufirin me Turqinë, në Gaziantep që të kërkonim nënën e djalit dhe më pas ta takonim që të dorëzonte te babai djalin. Por më pas ajo refuzoi. Më pas po aty në Gaziantep kemi gjetur disa persona që donin të ndihmonin Afrimin për këtë çështje, por kishin kërkuar në këmbim të informacionit 250 mijë dollarë. Ne kemi bërë verifikim të menjëhershem dhe zbuluam se ata ishin mashtrues. Pas kësaj, pesë vjet më parë mbyllëm aty çështjen duke u rikthyer në shtëpi, por pa mësuar se ku ndodhej djali i Afrimit dhe madje as t'i dëgjonim edhe zërin. Por 4 muaj më parë, Afrim na telefonon sërish sepse Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i kishte dërguar një letër në të cilën ishte një interviste që i kishte bërë djalit të tij. Dhe në atë letër djali i tij nga kampi i Al Hol në Siri i kërkonte të atit që të shkonte ta merrte. Pas kësaj në u vendosëm në lëvizje, kemi bërë të gjitha kërkesat e duhura qeverive lokale për të kaluar në kufi por kemi ndjekur edhe procedura të tjera, dhe kemi shkuar në fillim  në Erbil në Irak dhe më pas me makinë kemi kaluar kufirin dhe pas 300 km kemi arritur në kampin Al Hol në Siri.

Ka qenë shumë e vështirë për të hyrë në atë kamp sepse ai ishte një kamp ndalimi. Por pasi kemi hyre në atë kamp, babai arriti të shohë djalin, por imagjinoni ju gjendjen emocionale të të atit kur takoi djalin e tij pas pesë vjetësh. Në këtë pikë ne kemi kërkuar që ta marrim Alvinin dhe ai të ishte me të atin, por na kanë kërkuar që duhej me patjetër të ishte një diplomat shqiptar ose një i deleguar i tij. Nëse do të ishte prezantuar në kamp me të atin, ata do t'ia jepnin menjëherë Alvinin Afrimit.

Bledian Koka: Sepse Alvin, bëjmë edhe një sqarim se Alvin është qytetar shqiptar ende?

Luigi Pelazzo: Po. Ka leje qëndrimi italiane, por me shtetësi shqiptare. Ne i kemi kërkuar nëse mund të ndërmjetësonte një funksionar italian dhe na thanë që jo, duhet të ishte shqiptar. Më pas jemi larguar nga kampi dhe kemi kontaktuar menjëherë me qeverinë shqiptare. Ekzaktësisht kemi kontaktuar me ambasadorin shqiptar në Turqi, Gazheli, i cili pas qindra mesazheve dhe telefonatave, na siguroi se jo vetëm do të merrte nga kampi fëmijën, por do ta sillte direkt në Itali. Por pas këtij premtimi, unë i thash: Ambasador, shiko nëse ikim nga ky vend, ishim 100 km nga kampi, ne më pas nuk mund të kthehemi sërish, ju a na jepni garancinë që të bëni këtë operacion, dhe ai më tha: Patjetër do të bëj gjithçka që mundem. Nga i moment ai nuk na përgjigjet më në telefon dhe Alvin vazhdon të jetë ende në këtë kamp në Siri.

Bledian Koka: A mund të në shpjegosh, a është e vështirë për një diplomat shqiptar, apo për një të dërguarin e tij të shkojë në kapet në Siri dhe të marrë një fëmijë? Si funksionon, si jua shpjeguan këtë pjesë?

Luigi Pelazzo: Situata diplomatike natyrisht që nuk është e lehtë, sepse funksionon në bazë të marrëveshjeve, dhe duhet të dihet nëse Shqipëria ka marrëveshje ndërkombëtarë me qeverinë kurde, siriane, por ashtu siç hymë ne duke shpjeguar motivin, nuk duhet të ketë probleme sepse në të kundërtën nuk dona kishin thënë që duhet të paraqitet një diplomat shqiptar, thjesht mund të na thoshin se nuk mund të merrni mbrapsht fëmijën. Unë këtë pyetje ia kam bërë edhe ambasadorit shqiptar në Turqi dhe ai më tha teksualisht kështu, "Unë nuk mund të shkojë se kam frikë për sigurinë time dhe sepse unë jam në Turqi dhe Turqia nuk ka raporte të mira me kurdët, dhe në këtë pikë që shkoi situata unë i thash, Ambasador duke qenë se Egjipti ka raporte të mira me kurdët sirianë dërgoni një diplomat që vjen nga Egjipti, dhe ai më përsëriste gjithmonë se jemi duke punuar. Por për fat të keq koha kalon dhe vijnë lajme se mund të shpërtheje një luftë tjetër atje, dhe pikerisht në afërsi të kampit Al Hol. Nëse vërtet mund të ndodh kjo, ne kemi frikë për jetën e Alvin dhe të të gjithë fëmijëve të tjerë shqiptarë dhe jo vetëm që janë në atë kamp.  

Bledian Koka: Luigi, në kontaktin e fundit që keni pasur me ambasadorin tonë në Turqi, çfarë ju tha? A jo tha që për atë është e pamunduar që të shkojë të marrë Alvin në kamp?

Luigi Pelazzo: Jo, më tha që nuk mund të flas dhe më mbylli telefonin.

Bledian Koka: Vërtet....

Luigi Pelazzo: Po

Bledian Koka: Dhe kjo ka qenë biseda e fundit që keni bërë me të

Luigi Pelazzo: Biseda e fundit

Bledian Koka: A do ta keni në emisionin e radhës komunikimin tuaj me ambasadorin shqiptar në Turqi

Luigi Pelazzo: Patjeter që po, as nuk vihet në diskutim

Bledian Koka: Do të jetë gjithçka...

Luigi Pelazzo: Sigurisht

Bledian Koka: Luigi a ndiheni të zhgënjyer për sjelljen e ambasadorit tonë në Turqi ndaj jush, dhe në veçanti ndaj Alvinit, që ka të drejtë ta shpëtojë, jo vetëm Alvinin por edhe fëmijë të tjerë shqiptarë që ndodhen në atë kamp?

Luigi Pelazzo: Po, unë jam shumë i zhgënjyer sepse nuk ishte diçka e pamundur. Ajo që duhet të bënte është të dërgonte një të deleguar. Ne patëm vështirësi të hynim në kamp sepse ishim gazetare, por diplomacia ka më shumë lehtësira sepse kur një diplomat vjen në një territor, mund të bëhen apo organizohen koridore sigurie, një gjë që për ne natyrisht që nuk e bëjnë. Prandaj nuk ishte rrezikshmëria, për mendimin tim mungon dëshira dhe vërtetë nuk e kuptojmë përse. Janë shumë fëmijë shqiptarë, dhe atëherë diferenca mes fëmijëve të tjerë dhe Alvin është sepse Alvin është jetim, nuk e ka nënën.

Bledian Koka: Pse, nëna e Alvinit ka vdekur?

Luigi Pelazzo: Autoritete kurde thonë se nëna e Alvinit ka vdekur gjatë një bombardimi dhe ka mbetur i gjallë vetëm ai.

Bledian Koka: Kush kujdeset për Alvin tani që ai është vetëm në kamp?

Luigi Pelazzo: Tani Alvin është në një zonë të kampit që quhet jetimore, së bashku me fëmijë të tjerë jetim.

Bledian Koka: Si ishin kushtet ku jetonte Alvin, a arritët që të flisnit me Alvin dhe si është gjendja e tij mendore dhe shëndetësore?

Luigi Pelazzo: Alvin ka një këmbë të sëmurë, nuk arrin dot të ece sepse është plagosur gjatë bombardimit. Fizikisht ai është mirë, por psikologjikisht nuk e dimë, sepse duhet të vizitohet nga një psikolog, duhet te kujtojmë që Alvin ka kaluar pesë vjet ne Siri, ku pjesën më të madhe në luftë me ISIS

Bledian Koka: A keni biseduar me Alvin?

Luigi Pelazzo:  Po kemi folur.

Bledian Koka: Po i ati a ka folur me Alvinin?

Luigi Pelazzo: Po ka folur, por djali flet pak shqip sepse tashmë ka mësuar arabisht.

Bledian Koka: Arabisht, dhe nuk flet as italisht?

Luigi Pelazzo: Italishten nuk e flet më, flet pak shqip dhe arabisht.

Bledian Koka: Kishit përkthyes me vete kur biseduat me Alvin, apo nuk ishte e mundur?     

Luigi Pelazzo: Po patjetër. Alvin në fakt mendonte se babai kishte shkuar atje për ta marrë dhe kur na u desh ti thoshim se për fat të keq nuk do të mund ta merrnim, do ta shihni në kronikë pasi është një fëmijë 11 vjeç dhe do ta kuptoni shumë mirë që nuk ishte i lumtur për atë që po i thoshim.

Bledian Koka: Babai i Alvin a ka kontakte sërish me të?

Luigi Pelazzo: Jo. Është e pamundur të kesh kontakte sepse atje nuk ka telefona. Është një kamp ndalimi, është i ngjashëm me një burg. Për këtë arsye nuk mund të mbahen celularë dhe është e pamundur që të bisedosh me fëmijën.

Bledian Koka: Nga kush mbikëqyret kampi, nga qeveria siriane apo nga kurdët?

Luigi Pelazzo: Nga forcat kurde.

Bledian Koka:  Fuqia e qeverisë siriane nuk ekziston atje?

Luigi Pelazzo: Qeveria siriane nuk ka fuqi mbi atë kamp. Por për territorin në përgjithësi ne nuk jemi interesuar sepse ishim të përqendruar vetëm te kampi. Kështu që në kampin Al Ol, fuqinë e kanë forcat kurde sirine.

Bledian Koka: A keni pasur kontakte me fëmijë të tjerë shqiptarë në atë kamp, ju keni qenë atje me kolegun tonë që është pjese e Le Iene, me zotin Taulant Kopliku a keni parë nëse ka fëmijë të tjerë shqiptarë ose shqiptarë në atë kamp?

Luigi Pelazzo: Na thanë që në atë kamp kishte edhe fëmijë të tjerë shqiptarë, por e përsëris sërish, duke qenë se është si një burg, ata na lanë të hynim vetëm në një pjesë të kampit, afër zyrave, shkuan morën Alvin dhe na e sollën. Ne nuk mund të lëviznim brenda kampit. 

Bledian Koka: Në situatën që ndodhemi tani, a mendon se Alvin është një i burgosur, një i dënuar, duke qenë se i ati ishte atje, pse autoritetet kurde nuk ja dhanë të atit. A kishte babai i Alvin dokumente që tregonin se ai ishte i biri.

Luigi Pelazzo: Patjetër që kishte. Por autoritete insistonin që duhet të paraqitej përballë tyre një diplomat shqiptar

Bledian Koka: Por kjo kërkesë e tyre është sepse ata duan që të njihen si një autoritet, apo është një rregull, apo kanë frikën se fëmija mund të rrëmbehet nëse mund të themi kështu i cili është në mbikëqyrjen e tyre?

Luigi Pelazzo: Jo. Jo. Ky ishte një kusht dhe na thanë se edhe shtetet e tjera, si Belgjika dhe Franca kanë dërguar një diplomat dhe ata i kanë dhënë fëmijët.

Bledian Koka: Dmth është një procedurë normale

Luigi Pelazzo: Sigurisht. Por shiko, Kosova pak kohë më parë, ose me saktë një muaj më parë qeveria kosovare arriti që të dërgojë në shtëpi qindra persona

Bledian Koka: Ndërkohë që Shqipëria nuk bëri asnjë lëvizje në këtë drejtim

Luigi Pelazzo: Shqipëria, përsa i përket Alvin Berishës, nuk ka asnjë të re dhe për këtë arsye Alvin është ende atje. Dhe natyrisht qe për çdo ditë që kalon për të është një rrezik.

Bledian Koka: Flasim për një fëmijë. Autoritete shqiptare bënë atë që na treguat pak më parë, por duke qenë se djali ka leje qëndrimi italiane a është në gjendje diplomacia italiane të ndërhyjë për këtë çështje?

Luigi Pelazzo: Ne kemi kontaktuar, por e dinim që Italia nuk mund të bëjë asgjë sepse djali nuk ka një pasaportë italiane. Është e pamundur pasi do të shihej si abuzim, që Italia të merrte një fëmijë që është me shtetësi shqiptare. Është e pamundur të bëhet.

Bledian Koka: Si ishte situata e përgjithshme në Siri, në atë pjesë që ju ishin, ka ende luftë, a mund të na përshkruash pak gjendjen atje? për të kuptuar se çfarë rrezikon atje Alvin dhe fëmijë të tjerë shqiptarë?

Luigi Pelazzo: Autoritetet atje na thanë që ISIS vijon të jetë ende por nuk është i dukshëm, në kuptimin që nuk ka më flamuj, dmth që nuk kanë një territor. Ka celula të fjetura që janë gati të reagojnë në çdo kohë. Ka gjithashtu pika kontrolli të militanteve kurd, të cilët ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme dhe ka ende shenja të luftës nga bombardimet. Kampi i Al Hol është në kushte të këqija. Fëmijët janë të pistë, shihen që nuk lahen prej muajsh, është një situatë e pabesueshme. Duhet thënë që Alvin e gjetëm të pastruar dhe me veshje të reja

Bledian Koka: Ndoshta sepse ata kishin informacion se ju do të shkonit atje?

Luigi Pelazzo: Po mendoj se është kjo.

Bledian Koka: Një pyetje të fundit. A keni një apel për qeverinë shqiptare për çështjen e Alvin por edhe për shqiptarët e tjerë që ndodhen në kapet në Siri?

Luigi Pelazzo: Apeli që duhet të bëj është që duhet të ndiqet rruga diplomatike. Kur ndiqet rruga diplomatike është jap dhe marr. Qeveria shqiptare kërkon diçka dhe nga ana tjetër duan diçka në këmbim. Kjo në fakt është një situatë ku duhet të jesh në gjendje të biesh dakort. Nëse kurdët kërkojnë, tani nuk e di çfarë, ne jemi përballë qindra fëmijëve, dhe përballë këtyre viktimave të pafajshme të luftës së ISIS, nuk duhet të presësh, por vetëm duhet të reagosh dhe kaq.

Bledian Koka: Luigi unë të falënderoj shumë, në mënyrë të vecantë në emër t të gjithë shqiptarëve për atë që bëre për Alvin dhe jo vetëm edhe për shërbime te tjera që i keni bërë Shqipërisë. Shpresojmë shumë që ky apel dhe kjo intervistë të vërë në lëvizje qeverinë shqiptare për atë që po ndodh në Siri për fatin e Alvin, shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet menjëherë. Shumë faleminderit dhe paç fat

Luigi Pelazzo: Faleminderit dhe ju, ditë të mbarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco