Lajmi i fundit

Ngjarja në Maliq/ Momenti kur autori i vrasjes së policit dhe plagosjes së një tjetri sillet në spital

Falimentimi i 'Air Albania'/ Teliti: Shkaku kryesor është mbulimi e udhëtimeve luksoze të Edi Ramës

08:45, 04/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një kohë kur fluksi i turistëve në vend ka arritur shifra rekord me miliona vizitorë, një paradoks i madh ekonomik ka goditur tregun: falimentimi i kompanisë ajrore që gëzonte pozicion monopoli. Kjo situatë, e cila bie ndesh me çdo logjikë ekonomike, ka zbuluar prapaskena të errëta abuzimesh dhe keqmenaxhimi financiar me përmasa alarmante.

Falimentimi i kompanisë nuk erdhi brenda natës, por si rezultat i një degradimi të qëllimshëm financiar që zgjati për disa vite. Sipas Dorian Telitit, eskpert ekonomie që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, akuzat e ngritura theksojnë se shkaku kryesor i këtij kolapsi janë abuzimet masive me financat e kompanisë, veçanërisht për të mbuluar udhëtimet luksoze të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për transparencë dhe ngritjes së një komisioni hetimor, mazhoranca ka refuzuar vazhdimisht të japë llogari për kostot e këtyre fluturimeve, duke u fshehur pas justifikimit të "promovimit të linjës kombëtare".

Sipas të dhënave, kompania ka grumbulluar një borxh marramendës që vlerësohet rreth 100 milionë euro në vetëm 5-6 vite operim. Ky skandal i shtohet një liste të gjatë aferash që po rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve, duke përfshirë rastin Becchetti me 140 milionë euro, si dhe koncesionet apo PPP-të në shëndetësi dhe infrastrukturë, të cilat shpesh kanë rezultuar në skema korruptive dhe klienteliste.

Kostot e këtij keqmenaxhimi rëndojnë drejtpërdrejt tek qytetarët e thjeshtë. Ndërkohë që miliona euro shpërdorohen për luks qeveritar, popullsia përballet me vështirësi ekstreme për të siguruar nevojat bazë.

Flavio Qarri: Ka një paradoks të madh në parim. Nëse këtu numri i turistëve është bërë i llahtarshëm dhe janë me miliona, si falimentuam një kompani që kishte pozicion monopoli në treg dhe që lidhej me këto turistët? Se kjo s'më rri ekonomikisht.

Dorian Teliti: Shiko, ka vetëm një rast për çdo biznes. Në rast se ti e keqmenaxhon, në rast se ti abuzon me burimet e saj, me financat e saj, rezultati është një i vetëm, falimenti. Edhe në rastin e Air Albanias është abuzuar në mënyrë të tmerrshme, sidomos nga ana e zyrës së kryeministrit për udhëtimet e tij, të cilat gjithmonë u kërkua të bëhej transparencë nga ana e opozitës. Transparencë e cila u refuzua nga ana e mazhorancës, duke thënë që kryeministri po i bën promovim Air Albanias dhe qeveria po i bën një të mirë vendit duke promovuar linjën ajrore e cila kishte dhe flamurin tonë kombëtar. Ku do kishte gjë më të mirë që në qoftë se ata po bënin një gjë pozitive për vendin dhe ekonominë, ne t'i ndihmonim ata që kjo e vërtetë e tyre të dilte akoma dhe më tepër në pah? Pse e refuzuan komisionin hetimor? Çfarë të keqe ka që qytetarët të dinë se ku udhëton kryeministri? Çfarë të keqe ka që qytetarët të dinë sa kushtojnë udhëtimet e një zyrtari të lartë publik? Çfarë të keqe ka që qytetarët të dinë se si taksat tona, se si paratë tona që ne i derdhim në arkën e shtetit, të bëhet transparencë se si ato paguan? E keqja me sa duket, që nga kjo që ka dalë tashmë dhe që është vërtetuar tashmë, që kompania Air Albania është e falimentuar.

Nuk është e falimentuar nga padija dhe nuk është e falimentuar brenda një dite të vetme, por kanë qenë operacione të cilat kanë vazhduar për disa vite me radhë. Pra është lënë një degradim i qëllimshëm financiar i kësaj kompanie, e cila ka sjellë më pas edhe falimentimin e saj tashmë zyrtar. Dhe është diçka e cila është bërë në dritën e diellit dhe në vullnet të plotë të mazhorancës dhe të qeverisë që drejtohet nga kryeministri. Pra t'i lëmë llafet, t'i lëmë daullet, t'i lëmë intrigat. Kur flitet për financat, dy dhe dy bëjnë katër dhe nuk ka asnjë lloj interpretimi tjetër. Në momentin që prej pesë-gjashtë vitesh, që nga 2019-ta praktikisht që ka filluar Air Albania, në momentin që në kuadër të pesë-gjashtë viteve ti e ke falimentuar dhe tashmë ke një borxh që shkon deri dhe vlerësohet deri në masën 100 milionë euro, është thjesht një keqmenaxhim financiar i qëllimshëm, për të përfituar atë luksin e udhëtimeve luksoze.

Ndërkohë që shqiptarët e thjeshtë paguajnë taksat, ngrihen në mëngjes dhe marrin ato linjat e autobusëve skandalozë që ne i kemi urbanë dhe interurbanë, shkojnë punojnë me orë të tëra për të blerë atë thesin e miellit, atë litrin e vajit apo pakon e orizit, ndërkohë që luksi i shfrenuar ka zhytur dhe ka mbuluar le të themi të gjithë operacionet e aparatit qendror të qeverisë shqiptare. Pra nuk është një ndodhi që ndodhi nga e keqja. Kjo është diçka e cila është bërë tullë-tullë, kalaja është bërë tullë-tullë dita-ditës. Financat janë të qarta, menaxhimi i tyre bëhet ditor, dihen të ardhurat, dihen shpenzimet. Aritmetika nuk ka nevojë dhe nuk ka asnjë lloj interpretimi përveçse rezultatit aritmetik. Kështu që fakti që kemi mbërritur sot në këto vlera marramendëse borxhi, është në vijim të një keqmenaxhimi, i cili nuk ka ndodhur me thënë të drejtën vetëm në këtë sektor. Ju e mbani mend paketën 1 miliard euro të investimeve të mëdha që do përdoreshin me anë të skemës së PPP-ve, u përkthyen në një skemë, klienteliste, korruptive. Ju e mbani mend kontratat koncesionare në shëndetësi, të cilat u promovuan po nga vetë kreu i qeverisë, u kthyen në afera klienteliste korruptive. Ju mbani mend shumë rrugë të cilat janë inaguruar, mbështetur dhe trumbetuar edhe mediatikisht, të cilat futeshin në mendjen e shqiptarëve si investime të duhura, janë kthyer të tëra në paketa praktikisht klienteliste dhe korruptive. Keni rastin e Becchettit, 140 milionë euro, akoma dhe më tepër se Air Albania. Edhe ajo u shit ndryshe, realiteti ishte ndryshe, 140 milionë euro në kurriz të taksapaguesve. Me sa duket shqiptarët paskan pasur shumë për të vuajtur në kurrizin e tyre, kanë vuajtur miliarda euro dëme të konstatuara dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Do vuajnë dhe këtë faturën tjetër prej 100 milionë eurosh, e cila po ta përkthejmë në një krahasim që ne e përdorim shpesh, 100 milionë euro sot janë 2 vite ndihmë ekonomike për 63 mijë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike në Shqipëri. Pra ky abuzim që ka ndodhur me financat e Air Albanias, në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, do përkthehej që për dy vite ata më të varfrit e Shqipërisë, ata që marrin 50, 60, 70 euro në muaj, ato familje prej katër vetash, t'ua dyfishonim për dy vitet e ardhshme. T'ua dyfishonim, nuk është se do bëheshin të pasur, jo, po të paktën do kishin një kotherë bukë më tepër në tryezën e tyre, do kishin një gotë qumësht më tepër në tryezën e tyre. Por jo, nuk të lë njeri ta bësh këtë gjë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco