Në vitin 2004 Ndini Tavani ishte një jurist në moshë të re. Ai ushtronte profesionin e avokatit ndërsa vendosi të konkuronte në shkollën e Magjistraturës, për t’i dhënë vetes mundësinë e një karriere në organet ligjzbatuese.
Pasi dha provimin, Ndini Tavani pa se rezultati i listës së fituesve e kishte nxjerrë atë 4 pikë më pak se fituesi i fundit në listë. Ishte djegur.
Ashtu i dëshpëruar duke parë të afishuar listën e fituesve në korridor, Ndini Tavani eci disa hapa më tej korridorit të shkollës dhe trokiti në derën e pedagogut Arben Rakipi.
-Jam Ndini Tavani, konkurent, del që kam humbur, por thjesht desha të interesohem për atë pyetjen e fundit të tezës, pyetje me zhvillim, a më është llogaritur?
-Patjetër, – i thotë pedagogu Rakipi, i cili hapi dosjen e Ndini Tavanit dhe i thotë: “Për këtë pyetje ke marrë pikët e plota”.
-Dakord, – i thotë Ndini Tavani. Kaq desha.
Më pas ashtu i mërzitur siç ishte Ndini Tavani përshëndet Rakipin dhe i drejtohet derës së zyrës së tij për të ikur, në momentin që uli bravën, ndalet sërish.
-Profesor, pa dashur të të bezdis , a i numërojmë dhe njëherë pikët?, – i lutet Ndini Tavani.
-Patjetër mor djalë, – ja kthen Rakipi, i cili më pas nisi numërimin manual të pikëve, 2-5-14-27-42 e me rradhë.
Kur Rakipi bëri mbledhjen e pikëve, i thotë:
X pikë ke fituar.
-Edhe njëherë professor, sa? , – e pyet Ndini Tavani.
-X pikë i thotë Rakipi duke i shprehur shifrën ekzakte të pikëve që kishte mbledhur në sy të tij.
– Profesor me gjithë respektin, por kjo shifër që ju sapo mblodhët tani është 7 pikë me e lartë se sa pikët që më janë njohur mua, – ja kthen Ndini Tavani. – Me rillogaritjen që ju bëtë unë dal fitues.
Rakipi u shtang. Pranoi gabimin.
Zgjidhja e kësaj ngatërrese erdhi me një vendim të ish-kryeprokurorit Dhori Sollaku i cili me një urdhër special shtoi një kuotë pranimi tepër atë vit, me qëllim që Ndini Tavani të merrte të drejtën e tij, pa e skualifikuar studentin tjetër që i kishte zënë vendin padrejtësisht Ndini Tavanit.
Duket sikur ky episod i Ndini Tavanit në vigjilje të karrierës së tij në magjistraturë, ishte si një lloj nishani për telashet burokratike që do e shoqëronin Ndini Tavanin dhe në dekadat e ardhshme.
Së fundmi, Ndini Tavani është bërë objekt i një debati të mprehtë juridik me SPAK-un dhe KLP-në, debat që nëse e gërrmon pak në brendi, nuk përmban thjesht fatin e karrierës së Ndini Tavanit, pasi në fakt rasti i tij vë në pikëpyetje gjithë sigurinë juridike të sistemit në tërësi.
Ndini Tavani konkuroi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për vendet vakante të pranimit të prokurorëve të rinj në SPAK.
Ndini Tavani doli fitues me pikë në garën e shpallur në KLP, pasi kishte kaluar vettingun me sukses me një vendim 5-0 në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Vendimi i parë i dhënë 5-0 nga KPA-ja.
Ndonëse KLP-ja presupozohet një instancë eprore në hierarkinë e prokurorëve, një kleçkë e çuditshme qëndron si kërcënim ndaj integritetit të saj.
KLP-ja kur bën përzgjedhjen konsultohet dhe me një komision shtojcë i quajtur Komisioni i Verifikimit të Figurës (KVF).
Ky komision përbëhet dhe drejtohet kryesisht nga persona të zgjedhur nga shefi i SPAK-ut.
Pra është dhe SPAK-u që cakton profilin e kandidatëve që duan të bëhen prokurorë të SPAK-ut dhe jo vetëm KLP-ja.
Mirëpo ka dy probleme:
Së pari SPAK-ut me këtë komision i jepet e drejta të veprojë në konflikt interesi pasi nuk ka asnjë kuptim që emërtesat e SPAK-ut t’i diktojë vet SPAK-u, pasi nëse SPAK i cakton vet këto, atëherë pse shërben KLP-ja?
Së dyti, me komisionin e verifikimit të figurës, ndodh një paradoks që e përmbys gjithë sistemin. Sepse Ndini Tavani ka marrë certifikim nga organet e vettingut, njësoj si anëtarët e komisionit të SPAK-ut, pra organet e vettingut (KPK dhe KPA) janë organ madhor dhe në këtë pikë lind pyetja: Si mundet SPAK-u të shqyrtojë figurën e një prokurori që ka marrë certifikim nga i njëjti organ madhor (KPA) që ceritifikon dhe vet ata të SPAK-ut. (?!)
Që prej kohërave të lashta dhe historisë së njohur nga njerëzimi, sistemi më funksional që njeh hierarkia njerëzore është sistemi i hierarkisë ushtarake.
Kjo që ka ndodhur me Ndini Tavanin do ishte njësoj sikur në ushtri, një kolonel të gradonte ose të zhgradonte një kolonel tjetër, këtë s’mund ta bëjë dot koloneli, por Gjenerali ose Komanda e Lartë.
Në këtë rast “Gjenerali” do duhej të ishte kreu i KLP-së, por ky institucion pësoi një rokadë dramatike disa muaj më parë, kur kreu i saj Alfred Balla u shkarkua, ndërsa mbante pezull konfliktin për dosjen e Ndini Tavanit. Zëvendësuesja e Ballës veprimin e parë që ndërmori ishte djegia e Ndini Tavanit.
Hashtag.al është informuar se për disa javë, përfaqësues të ambasadave kanë debatuar dhe janë marrë me rastin e Alfred Ballës. Ai kërkoi ndihmë në ambasadën amerikane, madje në konsultat me ekspertët e ambasadës (të cilët kanë ndikim okult në SPAK) Alfred Balla u foli atyre për “grusht shteti” nga ana e SPAK-ut.
Por SPAK-u doli më i fortë, ekspertët e huaj kanë interesa më të forta politike në lojë se sa interesat e karrierës së Alfred Ballës.
Pasi Balla u shkarkua dhe Ndini Tavani u skualifikua nëpërmjet komisionit (KVF) okult të SPAK-ut, disa javë pas skualifikimit të tij, Ndini Tavani rezulton se ende nuk është njohur me arsyetimin e plotë të këtij komisionin okult.
Ky komision ka detyrë që vendimin e vet t’ja bëjë menjëherë të ditur Ndini Tavanit që ai ta ankimojë, por kanë kaluar javë e muaj dhe askush nuk e vret mendjen për këtë procedurë, duket sikur po i thonë Ndini Tavanit:
“Ligji jemi NE. Rri urtë.”
Por ndonëse kjo mund të jetë një padrejtësi akute sa i takon Ndini Tavanit si individ, shmangia e procedurës dhe paradokset e renditura më lartë, në fakt flasin për diçka shumë më të rëndësishme se sa thjesht karriera e Ndini Tavanit apo e Alfred Ballës, bëhet fjalë për sigurinë juridike të vendit.
Sepse në këtë pikë ne mund të shtrojmë një pyetje logjike:
Cili është dallimi ndërmjet organizimit hierarkik të një organizate mafioze dhe një organi shtetëror?
Ka vetëm një dallim.
Organizata mafioze i bën emërtesat jo mbi procedurë dhe meritokraci karriere, por mbi besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj kupolës, ose Shefit.
Dhe po e tjerrim më tej pyetjen:
Nëse bie procedura dhe kriteri meritokracisë në emërtesat shtetërore, atëherë nga ndryshojnë këto institucione shtetërore me organizatat mafioze?
Nëse kriter është bensikëria ndaj një klani ose ndaj një kupole, atëherë çfarë ndryshimi ka me organizatat mafioze?
Ky është dhe thelbi i problemit, të cilin do e detajojmë në pjesën e dytë të kësaj info-analize.
Kapitulli 2: Mban aromë grusht shteti
Në qershor të këtij viti, dy muaj më parë, gjyqtarit Gerd Hoxha i bie telefoni. Ishte një sekretare e ambasadës britanike.
“Zoti Hoxha ju kemi dërguar në format elektronik dhe me postë një ftesë për aktivitetin që do mbajë ambasada jonë më 20 Qershor. Jeni i lutur të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj.”
–Do të vij patjetër me shumë kënaqësi, – ju përgjigj gjyqtari, pa e ditur se ajo telefonatë do i devijonte karrierën.
Gjyqtari Gerd Hoxha, ishte ndërkohë në pritje të shqyrtimit të kandidaturës së tij si anëtari më i ri i GJKKO-së, Gjykatës Speciale.
Pasi shkoi në atë festë, Gerd Hoxha, as e imagjinonte dot se disa foto të dala prej asaj dite do të ishin dhe preteksti që do digjte kandidaturën e tij.
Komisioni i Verifikimit të Figurës i kontrolluar nga SPAK shfrytëzoi disa sekuenca fraksione sekondash ku Gerd Hoxha kishte takuar në atë festë Erion Veliajn. Ndonëse pranë tyre ndodheshin dhe Rudina Magjistari apo dhe plot personazhe të tjerë, kontakti i Gerd Hoxhës me Veliajn dhe dy fjalë që kanë këmbyer ata, u shfrytëzua në mënyrë flagrante dhe arbitrare si gijotinë për karrierën e Gerd Hoxhës.
Lexoni me vëmendje dokumentin se çfarë shkruan ky komision gijotinë i SPAK-ut për takimin aksidental Hoxha-Veliaj.
Pra ndonëse Gerd Hoxha është verifikuar në figurën e tij nga një organ madhor i vettingut, për komisionin e posaçëm të SPAK-ut mjafton një pretekst, një foto nga media në një festë me qindra të ftuar, ku shfaqet në një fraksion sekondi Gerd Hoxha duke takuar Veliajn, por kaq i mjafton këtij komisionin që ta quajë lidhje të papërshtatshme.
Asnjë sqarim mbi përmbajtjen e bisedës mes tyre.
Asnjë argumentim ligjor se çfarë ligji e pengon zotin Gerd Hoxha të bisedojë me një politikan të zgjedhur me votë si Veliaj.
Cila është shkelja ligjore që ka bërë zoti Gerd Hoxha?
Cili vendim gjykate apo qarkore rekomanduese e ka paralajmëruar zotin Hoxha që të mos kontaktonte Veliajn?
Dhe pyetja më e rëndësishme:
Kush janë këta anëtarë komisioni të posaçëm të një prokurorie që përcaktokan cilin nga “krushqit” duhet të takosh ti kur shkon në një “dasëm”?
Çfarë janë këta?
Kush i mbështet këta dhe kush ua jep këtë vetëbesim që këto idiotësi të kenë kurajën t’i shkruajnë të zezë mbi të bardhë në një dokument të sigluar shtetëror?
Përgjigja e këtyre pyetjeve në fakt më shumë se sa padrejtësinë ndaj Gerd Hoxhës, sqaron pozitat e një klike që me shumë gjasa po kryen grusht shteti në sistemin tonë juridik.
Korniza Kushtetuese në të cilën funksionon SPAK-u sot i jep këtij entiteti një vlerë operimi që është e ngjashme për prokuroritë dhe gjykatat speciale të luftës, ose gjykatat dhe prokurorirë që ndërtohen pasi ka ndodhur një grusht shteti dhe kontrollin e ka marrë një juntë ushtarake.
Por ama nuk është ky rasti i Shqipërisë.
Sepse SPAK-u nuk është konstituuar me forcën e barutit e bajonetës, por me konsensusin politik absolut të pozitës dhe opozitës me 140 vota.
Por kompetencat që i janë dhënë SPAK-ut paraqesin dy tipare të ngjashme me organet e juntës ushtarake:
-SPAK-un nuk e kontrollon dhe as e heton dot korniza kushtetuese shqiptare (por e kontrollojnë ambasadat ama).
-Organet kushtetuese mbi SPAK-un janë të shantazhueshme prej tij.
Le t’i marrim me radhë.
Nëse dikush do interesohej sot se kush kontrollon dhe kush na garanton që prokurorët e SPAK-ut nuk e shkelin ligjin, përgjigja do ishte se asnjë institucion madhor përveçse rregullores së brendshme të SPAK-ut, ose ligjit organik mbi funksionimin e SPAK-ut.
Ky ligj përcakton se brenda SPAK-ut duhet krijuar një njësi që intercepton komunikimet e prokurorëve në telefon dhe e-mail. Kjo njësi kontrollohet me rotacion nga një prokuror i vet SPAK-ut dhe nga një oficer i BKH-së.
Që prej ditës së parë të punës së SPAK-ut e deri më sot, kjo njësi nuk është ndërtuar kurrë. Nuk ka funksionuar asnjë ditë. Në fakt është thuajse e pamundur që një institucion apo një koleg të hetojë kolegun që e ka zyrën ngjitur. Kjo është totalisht kundër natyrës njerëzore.
Sepse duke qenë në një institucion, në një kat, dy zyra më tutje, fjala vjen në vapën përcëlluese të korrikut, ti ndonjëherë ke nevojë dhe t’i trokasësh atij që po e heton e t’i kërkosh një shishe ujë të ftohtë.
Kaq mjafton që ti moralisht të krijosh relatë e të mos jesh dot në gjendje ta hetosh kolegun, është ndjesia më normale në botë, ky nuk është korrupsion por është vet natyra njerëzore.
Ndaj dhe krijohet sistemi, sepse sistemi garanton që dobësitë njerëzore të mos cenojnë të drejtën dhe interesin publik.
Për pasojë vjen hierarkia, krijohen instanca të tjera më madhore si KLP-ja ose KLGJ-ja, apo komisionet parlamentare që mbikëqyrin sistemin, me qëllim që dobësitë njerëzore të mos tejkalojnë dot të drejtën dhe interesin publik.
Mirëpo këtu vijmë te pika e dytë e problemit.
Kuadri kushtetues nuk u krijon asnjë garanci institucioneve madhore si KLP, KLGJ apo dhe ILD.
Krerët e këtyre institucioneve janë absolutisht pa asnjë imunitet përballë SPAK-ut.
Ndërkohë duke qenë se SPAK-u nuk ka asnjë instrument balancues që mbikëqyr hetimet dhe procedurën e tij, është totalisht i ekspozuar nga ai që njihet si parimi juridik i “rrezikut të montimit të dosjes”.
Për këdo që njeh parimet thelbësore të rendit kushtetues, është e qartë se pika më delikate e një institucioni hetimor është rreziku për montimin e dosjes.
Po e ilustrojmë me një shembull:
Dikur ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe ish-drejtori i Policisë Hysni Burgaj krijuan një balancë me prezencën e oficerëve gjyqësorë. Kishte përfaqësues oficerësh dhe nga qeveria dhe nga prokuroria.
Kjo u bë pikërisht për të shmangur rrezikun e montimit të dosjeve. Rezultati u pa qartë në ngjarjet e 21 janarit 2011, ku oficerët e policisë së kontrolluar nga Burgaj si pasojë e presionit politik u morën me organizatorët e protestës, ndërsa ata OPGJ që kontrolloheshin nga prokuroria shkuan në bulevard dhe mblodhën provat shkencore të mbetura nga vendi i krimit.
Është pikërisht ky kontroll i dyfishtë që sjell garancinë juridike.
Me krijimin e SPAK-ut kjo garanci juridike për rrezikun e montimit të dosjeve u shua. Hetimin e kryen vetëm një dorë dhe kjo dorë nuk kontrollohet dot nga asnjë institucion kushtetues shqiptar, ndikimi mund të jetë vetëm i natyrës okulte nga ambasadat.
Instrumentet e brendshme të vetë-kontrollit të SPAK-ut nuk janë aktive, ndërsa BKH një institucion oficerësh i konceptuar autonom si FBI-ja është shndërruar në një shtojcë të SPAK-ut, emërimet në KLP dhe KLGJ ndikohen nga një komision i posaçëm i SPAK-ut, ndërsa krerët e KLP, KLGJ dhe ILD janë të ekspozuar në çdo moment me riskun e montimit të dosjeve penale ndaj tyre, për pasojë ata janë të shantazhueshëm.
Në këto kushte kur Ndini Tavani skualifikohet dhe askush nuk i jep dosjen e vet ta shohë, kur Gerd Hoxha ndëshkohet pse ishte i ftuar bashkë me Veliajn në një koktejl te britanikët, kur ish-kreu i KLP-së shkarkohet si Zhukovi dhe ankohet te amerikanët se po ndodh një grusht shteti, në kushtet kur KLGJ-ja dhe ILD-ja nuk ndihen dhe pse këto evidenca që shpalos ky shkrim i dinë shumë më mirë dhe shumë më herët se ne gazetarët, vlen natyrshëm të bëhet një pyetje:
Çfarë tjetër duhet për t’u bindur se jemi përballë një grushti shteti në sistemin juridik të vendit?
E për të shkuar drejt fundit të kësaj info-analize, ndoshta vlen të theksohet një episod komik që i ndodhi kreut të SPAK-ut Altin Dumani kur vizitoi Uashingtonin ca kohë më parë.
Ai i’u mburr një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, se ndryshe nga “prokurorët e mëparshëm” ata të SPAK-ut nuk komunikonin dhe as mbanin marrëdhënie me oligarkët shqiptarë.
Ndërsa i njëjti zyrtar i Departamentit të Drejtësisë Amerikane në tavolina me kolegë të tij, u shpreh më pas:
“Dumani ma tha me mburrje. Më bëri përshtypje. Pastaj nisa të gugëlloj pak, kuptova se oligarkët shqiptarë varen tërësisht nga buxheti i shtetit. Pastaj lexova se buxheti i shtetit në Shqipëri injektohet mbi 60 për qind nga borxhi i huaj nga FMN dhe Banka Botërore. Domethënë jemi Ne. Dhe ai me Ne takohet rregullisht. Ky djali është goxha i dëgjueshëm, por druaj se ka pamundësi kulturore dhe intelekti për të kuptuar si funksionon realisht sistemi”.
E thënë nga zyrtari amerikan tingëllon si gallatë, por ndoshta është pikërisht “gallata” e vetmja mënyrë për të përshkruar atë që po ndodh sot me sistemin juridik.
© SYRI.net