Kalbja e regjimit, e parë nga protagonistët e tij

Kalbja e regjimit, e parë nga protagonistët e tij

Nga Agim Nesho - 03/02/2024

Çim Peka ka një kontribut të madh për demokracinë dhe informimin e opinionit publik për kapjen e shtetit në Shqipëri duke realizuar një intervistë me një nga eksponentët kryesorë të regjimit, sot në arrati.

Vlera e kësaj interviste ishte jo vetëm në paraqitjen e fakteve, përdorimin e drejtësisë për interesa pushteti, abuzimet dhe korrupsionin e regjimit, por në faktin se këto të vërteta ulëritëse u pranuan nga vetë një nga eksponentët kryesorë të regjimit të instaluar në Shqipëri.

Faktet dhe deklaratat e vazhdueshme të opozitës për shtet të kapur, regjim të korruptuar, abuzime me pronën dhe financat publike sot nuk janë më një retorikë politike për marrje pushteti; që analizat dhe diskurset e figurave publike për rrezikun që po i vjen Shqipërisë nga kjo bandë kriminale që ka kapur pushtetin nuk janë retorikë intelektuale; që interesat e Shqipërisë shiten dhe blihen nën oreksin e qoftexhiut që drejton shtetin; që drejtësia e re është jo në shërbim të vendit por e drejtuar dhe e manipuluar nga autokrati Rama për të goditur kundërshtarët e tij, arrestuar dhe shkatërruar opozitën; që pronarët e vërtetë të aferave korruptive të kësaj qeverie, si në rastin e incineratorëve, janë kupola e saj.

Vetë intervista tregon fakte të tilla që përbëjnë një skandal të përmasave të tilla që asnjë qeveri nuk mund ta përballonte dhe çdo popull nuk do ta toleronte. Ajo të bën të kuptosh karakterin e këtij regjimi:

abuzues e korruptiv deri në të paimagjinueshmen, hakmarrës deri në pakufi për të marrë të drejtën e përfaqësimit, vulës dhe fabrikuar çështje që nuk ekzistojnë vetëm për të dhunuar dhe shmangur alternativën si në rastin e PD-së dhe liderit të saj Berisha;

klientelist deri në përulje duke e kthyer Shqipërinë në një gropë septike si në rastin e marrëveshjes Rama-Meloni;

antikombëtar si në rastin e paktit Rama-Vuçiç për projektet ballkanike dhe politikave e marrëdhënieve në dëm të Kosovës;

karakterin intrigant e përfitues me projektet e shpopullimit të vendit dhe kthimin e Shqipërisë në një tokë të djerrë për vete dhe oligarkët  e tij;

kriminal në bashkëpunimin me bandat dhe krimin e organizuar e patronazhistët për të vjedhur zgjedhjet dhe mbajtur pushtetin.

Intervista e Ahmetaj hodhi dritë në atë raport që ekziston midis regjimit dhe organeve të reja të drejtësisë duke provuar tezën e opozitës që kemi një drejtësi të dirigjuar dhe në funksion të mbajtjes së regjimit.

Faktet e paraqitura nga opozita për inceneratorin e Tiranës, shkelja e hapur e procedurës nga organet shtetërore qendrore e lokale ka treguar me kohë që SPAK-u nuk ka pasur vullnetin për të vepruar, ka pasur frikë ose nuk është lejuar për të vepruar.

Ky veprim kompromenton SPAK dhe shkatërron besimin që ka populli shqiptar tek ky institucion. Por kjo nuk është një çështje e vetme për të arritur në një konkluzion të gabuar. Zgjatja e hetimeve për çështjen McGonigal, që ish-Zv.kryeministri e parashtroi jo vetëm një çështje korrupsioni por edhe të sigurisë kombëtare, çështjet e korrupsionit qeveritar për PPP-të e shumë të tjera tregojnë që organet e drejtësisë së re janë kapur që në fillimet e punës së tyre.

Sot për SPAK-un ka vetëm një rrugë për të mbijetuar: 

Të hetojë dhe arrestojë shpërdoruesit e fondeve publike deri në majën e kupolës së regjimit për çështjen e inceneratorëve;

të ndërpresë presionin ndaj opozitës dhe përdoret si mashë për interesat e pushtetit;

të ndalojë arrestimet politike për të mos ndikuar në përplasjet sociale në vend;

të luftojë lidhjet e politikës me krimin e organizuar, manipulimin zgjedhor dhe të ndihmojë në rikthimin e demokracisë, pluralizmit dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Situata e sotme politike në Shqipëri është situata më e rëndë që pas vendosjes së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Kapja e shtetit nga regjimi putinesk i Edi Ramës lejon vetëm një zgjidhje: ballafaqimin e regjimit me popullin. Dhe nuk duhet të kemi komplekse kur çështja shtrohet për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Për ata që janë skeptikë, që kërkojnë gjithmonë të dëgjojnë nga faktori ndërkombëtar apo nuk dallojnë interesat dhe pragmatizmin e ndërkombëtarëve që vjen nga lëpirja dhe klientelizmi i këtij regjimi duhet thënë: demokracia është çështje e popullit dhe  dëshirës së tij për të qenë pjesë e vlerave perëndimore.

Se çfarë është e drejtë dhe e nevojshme për vendin nuk mund ta presim nga ata individë të huaj, që siç thotë Çim Peka... “vijnë si nënat tona në Shqipëri dhe kthehen me shkëlqimin e Monica Bellucci-t”.

Përballja me regjimin do të tregojë se sa kemi mësuar nga demokracia amerikane, vlerat dhe parimet europiane, sa e duam vendin tonë dhe sa e meritojmë të jemi pjesë e civilizimit perëndimor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco