Punë plehrash

Punë plehrash

Nga Erion Dasho - 03/02/2024

Afera korruptive më skandaloze dhe vjedhja më e madhe në historinë e Shtetit Shqiptar është nga fillimi në fund një çështje plehrash; duke nisur nga objekti i trajtuar prej saj që në gjuhën e përditshme etiketohet me termin përbuzës "plehra" dhe duke përfunduar tek ata që e stisën këtë aferë, të cilët alegorikisht etiketohen prej shumë vitesh me të njëjtin term.

***
Besoj të gjithë e mbajnë mend krizën pothuajse permanente të mbetjeve në Italinë fqinje. Kur qeveritë antimafia të pas viteve '90 u përpoqën të kalonin procesin e trajtimit të mbetjeve nga duart e mafies drejt biznesit serioz, kriza arriti kulmin.

Askush nuk guxonte të konkurronte me mafiozët të cilët kishin krijuar perandori me vlerë qindra milionë eurosh nëpërmjet aferës fitimprurëse. Plehrat mbushën rrugët duke bërë praktikisht të pabanueshëm Napolin dhe shumë qytete të tjerë të Italisë Jugore.

Qeveria e Boratit vuri mend nga ajo që ndodhi në Itali. Rreziku nga lënia e biznesit të mbetjeve në dorë të mafiozëve, mund ta kthente çështjen e djegësve në një çështje që mund të digjte rilindjen dhe vetë Boratin.

Zgjidhja u gjet!

Në vend që të liheshin plehrat në dorën e mafies dhe të rrezikohej një ditë kolapsi, u kthye qeveria në mafie dhe, sikundër kolegët e tjerë të Mafies, Ndragetës dhe Cosa Nostrës, nisën të merreshin me të njëjtën punë, pra me plehrat.

Kësisoj shqiptarët mund të rrinë të qetë për sa kohë votojnë mafiozët e rilindjes me në krye Boratin. Plehrat do t'i kenë në qeveri, ndërsa rrugët do t'i kenë të pastra nga plehrat e përditshme.

***
Ndërkohë shqiptarët dëgjojnë "Tigrin" kur shpjegon skemat e padëgjuara të vjedhjes nga ai vetë së bashku me ish ortakët tashmë të kthyer në armiq, duke komentuar "Po ç'na tha Tigri të re?!"

Normal që Tigri dhe askush tjetër nuk mund të thotë më tepër se sa ka thënë opozita në 8 vitet e fundit përditë dhe me forcë. Tigri nuk bëri tjetër veçse konfirmoi akuzat duke u vënë vulën e besueshmërisë.

Është tani në dorën e shqiptarëve të zgjedhin, do të ulin kurrizin dhe të pranojnë këtë megaaferë plehrash që kutërbon nga kilometra larg, apo do të reagojnë ndaj saj sot me protestë dhe nesër me votë.

Për ta çuar shtetin e plehrave aty ku e ka vendin, në koshin e plehrave të historisë...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco