Shansi i humbur i Kushtetueses për të qenë ‘britanike’ dhe Fidani i neo-otomanizmit

Shansi i humbur i Kushtetueses për të qenë ‘britanike’ dhe Fidani i neo-otomanizmit

Nga Alfred Lela - 29/01/2024

Sot, në Shqipërinë e shkretë, të bërë një grusht dhe nën peshën e një globalizmi idiotesk, u përplasën dy ngjarje, në dukje pa lidhje por, që shpjegojnë se si zorrët e konflikteve globale vijnë e shpëlahen në namazgjatë e shqipeve.

E para është vizita e ministrit të Jashtëm te Erdoganit, Hakan Fidan, pasojë e një globalizmi-nëpërmjet-fesë, që vazhdon të mbjellë fidanë të neo-otomanizmit shqiptar, më shumë dhe se Erion Veliaj pemë të Pyllit orbital.

Ministri turk e kaloi nga sixhadja e xhamisë tegelin më të trashë të vizitës, duke bërë thirrje për një sforco të fundit të vendit pritës mbi kundërshtarët politikë të shefit të tij Erdogan, lëvizjen FETO, apo të njohurit më gjerë si gulenistët.

Fidani i Erdoganit gjen sa të duash ferra të projektit neo-otoman në Tiranë. Soji i tyre më i shpeshtë rritet në bahçen e kryeministrit Rama, i cili e ka shpallur Turqinë “partner strategjik’, me të njëjtën lehtësi që ka shpallur njerëzit e oborrit qeveritar ‘investitorë strategjikë’, dhe i ka hapur rrugë një erdoganizmi fetar agresiv, deri edhe në zemër të punëve të Komunitetit Mysliman shqiptar. Me këtë, kryeministri ka bërë, as më pak e as më shumë, se zvetënimin e laicitetit të shtetit shqiptar dhe shtysën që muhamedanët shqiptarë të jenë turko-centrikë apo arabo-centrikë. Një largim i rrezikshëm nga muhamedanizmi shqiptar me autenticitet lokal dhe frymë europiane, i promovuar fort në kohën e një prej etërve të kombit, Mbretit Zog.

Ka nga kjo turçeli edhe në shpurën mediatike të Lulzim Bashës (Basha ka më shumë njerëz në media që e mbështesin se sa grup parlamentar). Ata kanë gjetur strehë te Basha duke qenë se e kanë të pamundur të jenë te Rama-shumë hedonist për namuzin e tyre. Ish-kryetari i PD i akomodon në erdoganizëm, ndryshe nga Sali Berisha i cili vazhdimisht e ka sulmuar presidentin turk. Një ‘thyerje’ që vjen nga koha kur Berisha, në krye të qeverisë, zgjodhi linjën amerikane përkundër asaj turke, duke mos votuar për një rezolutë kundër Izraelit në OKB. Gjë që Rama bëri më vonë kur erdhi në pushtet.

Ngjarja e dytë ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lejuar mijëra refugjatë afrikanë të stacionohen në Shqipëri, për një kohë dhe mënyrë të papërkufizuar qartë. Qoftë edhe për arsyen e vetme se, krizat botërore që lindin refugjatë, viktima dhe hallexhinj, nuk janë kurrë të parashikueshme.

Veç vendimit dhe përmasës, jo politike, por shoqërore që sjell, ajo që shqetëson është fakti se Gjykata Kushtetuese, në mënyrë të habitshme anon nga Edi Rama, vendimi i të cilit zgjoi kundërshtime në Itali, dhe më gjerë se aq.

Sikur asgjë tjetër, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mund të përdorte precedentin britanik në rastin e emigrantëve shqiptarë që do të dërgoheshin në Ruanda.

Dallojeni paradoksin: gjykatësit britanikë nuk mendojnë se shqiptarët nuk duhen dërguar në një vend të tretë (afrikan), sepse kjo do përbënte shkelje të të drejtave të njeriut. Gjykatësit shqiptarë lejojnë korsinë e kundërt të futet në Shqipëri, pra që refugjatë nga Afrika të stacionohen në Shqipëri!

Në llogari të fundit, Shqipëria nuk është vend destinacioni i refugjatëve, veçse si urë kalimi, nuk është vend i pasur ekonomikisht, nuk është vend i BE dhe, për më shumë është një vend që prodhon një lloj tjetër refugjati, emigrantë ekonomikë apo politikë. Shqiptarët nuk i ndjek lufta, por një epidemi ndoshta edhe më e zezë, mungesa e shpresës, ideja se në Shqipëri gjërat nuk mund dhe nuk do të rregullohen.

Alternativa e Edi Ramës ndaj gjithë kësaj është kthimi i Shqipërisë në një dumping ground të Afrikës, Azisë dhe vendeve të BE.

Megjithëmend, catch phrase-i i tij në formë kërcënimi “nuk keni parë gjë akoma!”, paska qenë i vetmi premtim i mbajtur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco