McGonigal: fitorja morale e Amerikës dhe e opozitës së rithemeluar

McGonigal: fitorja morale e Amerikës dhe e opozitës së rithemeluar

Nga Akil Kraja - 29/01/2023

Një term i një mendësie sovjetike, “anti-amerikanizmi” u përhap në leksikun mediatiko-politik të dy viteve të fundit si një derë pas së cilës gjithkush mund të fshihte dështimet e tij. Rama do të cilësonte anti-amerikan këdo që e sulmonte për keq-qeverisjen, korrupsionin e kriminalizimin e vendit. Basha do të cilësonte anti-amerikan këdo që kërkonte tërheqjen e tij pas humbjeve të njëpasnjëshme e thërrmimit elektoral të PD-së. Amerika ishte manteli me të cilin visheshe autokracia qeveritare dhe ajo partiake në Shqipëri. Sillemi kështu, sepse kështu e kërkon Amerika. Ky ishte nën-konteksti justifikues i pothuajse çdo vendimmarrje politike në Shqipëri.

Të kërkoje llogari, marrjen e përgjegjësive, të kërkoje transparencë e ligjshmëri, të kërkojë demokraci e ndarje pushtetesh, mund të cilësoheshe krejt lehtësisht më e pakta si sovranist, dhe më e shumta si anti-amerikan. Pak rëndësi kishin argumentat, faktet, humbjet, shifrat e skandalet e përditshme. Politikanë, analistë, qytetarë e aktivistë, por dhe diplomatë, si kurrë më parë në këto 30 vite, u ndanë në kampe tejet antagoniste dhe pothuajse të papajtueshëm. Kjo ishte një përçarje e sponsorizuar nga faktorë brenda dhe jashtë vendit. Ashtu siç po del e sponsorizuar dhe emërtimi kundra Sali Berishës. E gjitha me qëllim mbajtjen e statusquo-s në qeveri, por dhe në opozitë.

Është pikërisht në këtë kontekst që lindi një opozitë e re, një PD e rithemeluar. Një grupim qytetar, demokrat e kombëtar që u përbashkua rreth një bindjeje të palëkundur : Shqipëria mund të shpëtohej vetëm me largimin e Edi Ramës. Ata besonin se opozita ishte marrë peng dhe se Rama i shërbente në mënyrë të verbër interesave rusofile në Ballkan. Krahas kësaj, ata besonin dhe tek një Amerikë tjetër. Një Amerikë demokratike ku shenjtëria e votës është e pacenueshme. Një Amerikë vlerash, por dhe dialogu e respekti reciprok, ku mundësohej transparenca e fakteve, një hetim i plotë dhe publik, përballja brenda sistemit gjyqësor dhe e drejta për apelim. Ky grupim, besonte tek ëndrra Amerikane e një shteti të të drejtës, bazuar në ndarjen efektive të pushteteve dhe se vetëm në një sistem qeverisës të tillë mund të arrihej një nivel drejtësie i paqortueshëm. Në këtë sens, përballë mbështetjes së pakushtëzuar që i jepej Edi Ramës pavarësisht abuzimeve kolosale të qeverisë së tij, kushtet e shpalljes non-grata të Sali Berishës u përjetuan si një padrejtësi e thellë dhe u shoqëruan nga një mos-kuptim i gjërë politik mbarëkombëtar.

Sot, teksa shpaloset dita ditës skandali McGonigal, gjërat kanë marrë më në fund një përgjigje. Autori i këtyre rreshtave ashtu si çdo qytetar shqiptar i cili kërkon për Shqipërinë të njëjtat standarde qeverisëse siç ofrohen në vendet më të përparuara perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndihet i tejet lehtësuar teksa sheh që e vërteta nuk erdhi nga jashtë sistemit, por nga brenda tij.

Sot, për Amerikën në Shqipëri, u fitua një betejë morale dhe institucionale. Ishte një trupë gjyqësore që shpalli aktakuzat kundrejt McGonigal. Ishte forca dhe pavarësia e trupës hetuese, nënkupto balanca e pushteteve, që i mbrojti institucionet amerikane nga influenca e huaj korruptive. Ishte liria e shtypit që mundësoi përhapjen e menjëhershme të Dosjes McGonigal anembanë globit. Ishte autonomia profesionale e prokurorisë që i mundësoi të citonte plot 14 herë Kryeministrin e Shqipërisë. Ishte vetë sistemi që korrektoi vetveten duke pranuar që në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Partisë Demokratike ka patur ndërhyrje të jashtëligjshme. Faktet tregojnë që anti-amerikanët e vërtetë paskan qënë në Kryeministri, dhe jo në opozitë. Faktet tregojnë që non-grata duhet të jetë Edi Rama dhe jo Sali Berisha.

McGonigal nuk është shpallur ende në mënyrë përfundimtare fajtor. Por sistemi funksionoi duke parandaluar dëme më të rënda për sigurinë kombëtare atje. Kjo është Amerika që të gjithë shqiptarët aspirojmë. Kjo është Amerika e drejtësisë, e institucioneve, e ndëshkimit të korrupsionit, e llogaridhënies. Një realitet ku askush nuk mund të jetë mbi ligjin, qoftë ai Drejtor në FBI. Është pikërisht ky model dhe këto rezultate që shqiptarët prisnin nga reforma në drejtësi dhe organet e reja si SPAK. Që nga afera e inceneratorëve e deri tek 500 mijë dollarët e pastrueses së oborrit qeveritar, sot mes pritshmërisë të qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë ka një humnerë besimi që thellohet dita ditës.

Në këtë ekuilibër të ri që vjen nga matanë atlantikut, është jetike të çlirohemi nga çdo kompleks politik dhe të kërkojmë më këmbëngulje fuqizimin e frontit kombëtar opozitar, duke përfshirë në të dhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike. Ata që refuzojnë bashkimin, refuzojnë të shohin të vërtetën në sy. Dhe faktet tregojnë që me këtë fitore morale të Amerikës, fitoi dhe opozita e rithemeluar. Është emergjente që tanimë të fitojë dhe Shqipëria duke larguar sa më parë Edi Ramën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco