Largimi pa lezet i një amerikaneje

Largimi pa lezet i një amerikaneje

Nga Armir Shkurti - 12/12/2022

Lexova një editorial të Juri Kim. Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Titulli: ‘Korrupsioni gërryen potencialin e Shqipërisë’.

Uuuaau! Çfarë zbulimi! Nëse këtë ‘editorial’ do ta kishte bërë në fillim të vitit 2020, kur erdhi për herë të parë, edhe hahej. Vinte nga seftja, e patrazuar me zhulin e Shqipërisë dhe ka kuptim ‘editoriali’. E fus për të dytën herë në thonjëza ‘editorialin’ sepse ky është karagjozllëk më vete, pjesë e atij korrupsioni ku bën pjesë edhe vetë zonja Kim. Është pjesë e korrupsionit politik.

Editorialet i bën kryeredaktori, ose personi që ndërton politikën e një institucioni mediatik. Jo një I huaj. ‘I huaj’ në kuptimin ‘jashtë kësaj media’. O ai që drejton median në fjalë, nuk drejton dot kurrizin dhe ndjehet i përkëdhelur që ambasadorja e SHBA boton tek ai, ose kot që e drejton, se nuk njeh termat dhe gjinitë e gazetarisë.

Më lart kam thënë ‘pjesë e atij korrupsioni ku bën pjesë edhe vetë zonja Kim’, gjë të cilën kam detyrë ta shpjegoj.

Nëse i referohemi Transparency International, vitin e kaluar vendi ynë humbi 35 vende në renditjen botërore të korrupsionit. Sot ne ndodhemi gjithnjë e më në fund, me më të korruptuarit e globit, tregues që është përkeqësuar gjatë mandatit të Juri Kim.

Reforma në drejtësi, e iniciuar dhe sponsorizuar nga SHBA, kritikohet nga gjithë palët, sidomos nga publiku.

Në raportin e TI flitet për shfrytëzimin e pandemisë për të rritur autoritarizmin, abuzimin me të drejtat e njeriut dhe rritjen e korrupsionit. Specifikisht për Shqipërinë! Dhe kjo ka ndodhur kur ambasadore ishte Juri Kim!

Autori i shfrytëzimit të pandemisë për rritjen e autoritarizmit, abuzimit me të drejtat e njeriut dhe i korruptuar, mori mbështetjen për një mandat të tretë qeverisës edhe nga zonja Kim, si përfaqësuese e SHBA. Ndërkohë që kurrë nuk u vërejt nga përfaqësuesja e vendit kampion të demokracisë që në një dorë ishin mbledhur gjithë pushtetet, përfshi atë vendor, gjyqësor madje edhe …opozita!

Ishte ky person, me tagrin e përfaqësimit të shtetit më të dashur për Shqiptarët, që nga shkallët e PD–së u kërkoi demokratëve të mos ndjekin Sali Berishën, duke përdorur sloganin e diktatorit Hoxha ‘edhe bar do të hamë e parimet nuk i shkelim’

Duke ‘mos parë’ totalitarizmin e Ramës me kompani dhe revoltën e mbledhur në popull prej një regjimi që ka asgjësuar demokracinë dhe kufizuar liritë, kjo zonjë ishte kumbara e njëfarë ‘Alibeaj’, bedel kryetar të PD–së, një njeri që rri pa asnjë votë a mandat në një vend të caktuar saktë se si merret.

Ju po e lini Shqipërinë një vend më të keq seç e gjetët, zonja ambasadore. Po ashtu, ju po i lini shqiptarët me më pak besim se ç’kishin në vendin tuaj para se ju të vinit.

Keni qenë e përfshirë në gjithë këto momente, ndaj guxoj t'ju akuzoj. Ose më saktë, të them hapur atë që e thonë me zë të ulët shumë prej atyre që ju mbajtën me.. kimet.

Lamtumirë, pas asnjë mall a dëshirë për t’ju parë sërish.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Paemer15/12/2022 18:32

Nuk eshte detyra e ambasadorit amerikan te rregulloje punet e shqiptareve. Nuk eshte faji i tij nese shqiptaret jane te paafte te bejne shtet.

Shto koment

Denonco