Në emër të atyre që e kanë njohur Bujar Nishanin

Në emër të atyre që e kanë njohur Bujar Nishanin

Nga Avni Nezaj - 02/06/2022

Fjalët shpesh kur thuhen, nuk e kanë atë forcën që ka fjala e shkruar dhe e skalitur mirë. Ndaj dhimbjen me familjarët e Bujar Nishanit, i cili realisht nuk u përkiste vetëm atyre, familjes së tij të ngushtë apo familjes së tij të gjerë.

President i Shqipërisë, ish-Ministër i Brendshëm, ish-Ministër i Drejtësisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, një politikan kalibri nuk i përket vetëm familjes së tij, na përket edhe neve që patëm rastin ta njohim e të punojmë me të, u përket të gjithë shqiptarëve pasi ka qenë kryetar i shtetit të tyre. Një personalitet i rrallë që konsultat më të ishin burim i çmuar qytetarie. Një fisnik i bujarisë së mendimit, që kishte gjithmonë një opinion të qartë dhe bindës për çdo situatë që shqetëson shqiptarët. Një vlerë e padiskutueshme në familjen politike të së djathtës shqiptare. Një kontribuues i madh për demokracinë në vend dhe ruajtjen e balancave të pushtetit. Një analist i qartë i zhvillimeve në rajon, Evropë e botë. 

Nuk ndante asnjë nga njerëzit që kishte përballë dhe që punonte me ta, në të mirë apo në të këqij. Në të majtë apo në të djathtë. U jepte sigurinë e mbështetjes së tij që gjerat të shkonin mirë. Nuk përtonte të dëgjonte çdo këshillë dhe të pyeste për çdo paqartësi. Pa e ngritur zërin kurrë. Ishte partizan i të vërtetës dhe seriozitetit të një burrështetasi. Dhe me këto veti, ai përballoi poste të rëndësishme në qeverisjen e vendit dhe në drejtimin e shtetit shqiptar. Dhe gjithkund solli vitalitetin e mirësisë së tij, konturimin politik të një qytetari pa pikën e dyshimit.

Ai ishte një përbashkues optimist. Lidhi bindshëm rrënjët shqiptare nga Presheva tek Arbëreshët e Italisë nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e deri tek ata në Malin e Zi. Pra, përfshiu gjithçka shqiptare në agjendën e tij dhe këtë e bëri me kohë të plotë.

Të gjithë ne që patëm fatin ta njihnim dhe që punuam me të, mbajmë mend një Bujar që qeshte qetësisht, dhe stresit të problemeve të shumta që mund të përballeshim, u jepte rëndësinë e duhur pa ndarë askënd dhe asgjë nga vetja e tij. Gjithçka zgjidhet kur punohet në grup, konsultohesh dhe jep udhëzimin e duhur njeriut të përshtatshëm.
Ai i dha shumë shtetërimit. Një imazh i një presidenti aspak konfliktual, por shumë kombëtar dhe kushtetues.

Ai i dha shumë qeverisjes. Një ministër si asnjë tjetër. Bindës dhe respektues deri në detaje i ligjshmërisë. Nuk u përfol kurrë për asnjë gjë. Përfolja më e madhe për të ishte sa në çfarë mase të seriozitetit u mor me secilën çështje. Por serioziteti nuk vihej në dyshim.

Ai i dha shumë politikës së qartë. Një demokrat i bindur. Një debatues i zjarrtë, por që asnjëherë nuk kishte nevojë të bënte zëlartin. Forca e tij në politikë ishin argumentet.
Dhe unë, si qindra, ndoshta mijëra të tjerë, kisha fatin ta kisha mik Bujar Nishanin. Se njerëz si ai, i kanë miqtë e shumtë. Ikja e tij nga kjo botë krijon boshllëkun e qartë që nuk mbushet kurrë. Familja e tij duhet të jetë shumë krenare për njeriun e vet. Por krenarë jemi edhe në që punuam, apo e njohëm të paqëtin Bujar Nishani. 

Faleminderit President. Të qoftë i lehtë dheu i tokës shqiptare, për të cilën kontribuove aq shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco