Rama po ndan shtëpitë e Kristaqit?

Rama po ndan shtëpitë e Kristaqit?

Nga Agim Xhafka - 30/12/2021

Para ca ditësh udhëheqësi ynë legjendar e gojështhurur u ndodh në Kurbin. Ndau çelësat e shtëpive të reja atyre që iu shembën nga tërmeti para dy vitesh. Sipas stilit të tij as i uroi, as i përshëndeti, po me propagandë i bombardoi.

-Partia jonë ju jep banesa të reja. PD e shumta do ju falë një bravë.

Atë çast më erdhi ndër mend shoku im Cale. Ishte grindur në shkollë me një shok dhe drejtori këmbënguli që të nesërmen të paraqitej me të atin. La punën baba ziu, dëgjoi broçkullat e drejtorit dhe uli kokën i zënë në turp. Por në fund, kur drejtori  i tha Cales se partia more, ta ka bërë kokën deri në tavan ndaj sillu mirë, babai nuk duroi:

-Kokën deri në tavan, o drejtor, ia kam bërë unë me këto duar e me këto shpatulla. Ku hyn partia këtu?

As në diktaturë ndonjëherë nuk kalonte nën rrogoz uji i propagandës. Ndërsa këto mote ky birbo me lekët e popullit i thotë popullit:

-Më mbani mua mbi kokë se unë ju bëj me shtëpi e me gjithçka. Vërtet i paguani ju, po çelësat i shpërndaj unë.

Opozita e Bashës fle gjumë te SHQUP-i. E ngujuar nga frika se mos ngelet pa seli. Rama bredh cep më cep. Ndan toka, jep tapi, “fal” shtëpi, llapashit, e ua lyp të tërëve, më votoni mua se shihni sa ju dua, ju bëj me shtëpi.

Ky mafioz edhe sikur t’i kish trashëgimi nga Kristaqi do duhej të tregohej më modest. Se dhe kur i fal dikujt diçka, nuk i kërkon shpërblim. Nuk i thua po të dhuroj këtë në se ti më dhuron votën. Mijëra vjet para ky gjest quhej korrupsion. Sot e ka emrin “Pushtet Mafioz”.

Rama me lekët e popullit i bën “dhurata” popullit. Si atij minatorit që për ditëlindje i dhuruan një copë qymyr. Nga ai qymyr që vetë minatori ia shkulte shkëmbit me muskujt e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Populli30/12/2021 15:39

Edhe Erdogani nuk e besoi ti linte lekë qeverise por i ndërtuan vetë.

Shto koment

Denonco