Zgjedhjet në Gjermani/ Forcat e qendrës përcaktuese të qeverisjes

Zgjedhjet në Gjermani/ Forcat e qendrës përcaktuese të qeverisjes

Nga Kastriot Islami - 03/10/2021

Një nga arsyet që mendohet përse CDU/CSU s’rezultoi forca e parë politike në zgjedhjet e 2021 në Gjermani mungesa në krye të CDU-CSU gjatë këtyre zgjedhjeve të ish-kancelares Anxhela Merkel...

Natyrisht kjo do të ndodhte një ditë, dhe duket se ndodhi në 2021... gjë që duket do të pasohet edhe me daljen e CDU-CSU në opozitë e ndoshta edhe ndryshimin e lidershipit të saj.

Në zgjedhjet e fundit, të para një jave në Gjermani, CDU/CSU pati një rezultat historikisht jo të mirë sepse doli forcë e dytë duke marrë 24.1 për qind të votave, me një rënie prej 50 deputetësh krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Partia më e votuar, SPD- Partia Social Demokratike e qendrës së majtë, doli e para duke marrë 25.7 për qind, ose duke qënë vetëm 1,6 për qind para CDU/CSU. Partia e Gjelbër apo Ekoligjistët ishte e treta, me 14.8 për qind, dhe Partia Demokratike e Lirë (FDP), e cila mund të përshkruhet si liberale nga pikëpamja sociale dhe konservatore nga pikëpamja ekonomike doli e katërta, me 11.5 për qind.

Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë, doli e pesta me 10.3 për qind, ndërsa e partia e majtë Di Linke mori më pak se pesë për qind, por arriti të futej në parlament vetëm se arriti të fitojë deputetë në ‘mazhoritar’; këto dy parti fituan shumë vota ‘reaktive’ në zona të ndryshme të ish-Gjermanisë Lindore.

Duket, nga një analizë e shpejtë, se Gjermania në masën mbi 85 për qind ka votuar për 4 forcat politike të qendrës, SPD, CDU/CSU, Ekologjistët dhe Liberalët. Pas më shumë se 70 vjetësh, rol përcaktues në formimin e qeverisë së ardhshme, s’do të ketë një forcë politike por dy forcat politike, Ekologjistët dhe Liberalët.

Mundësitë më të mëdha të koalicioneve qeverisëse janë a) koalicioni mes SPD (ngjyrë e kuqe) dhe dyshes Ekologjike (e gjelbër) dhe Liberale (e verdhë) që në Gjermani njihet me emërtimin Koalicioni i ‘dritave të trafikut’ (kuq-jeshil-verdhë) dhe 2) koalicioni mes CDU (zezë), dhe dyshes Ekologjike (e gjelbër) e Liberale (e verdhë) që në Gjermani njihet me emërtimin Koalicioni i ‘Xhamajkës’ sipas ngjyrave të flamurit të Xhamajkës zezë-jeshile-verdhë.

Dy ‘koalicione matematikisht të mundshme’ do të ishin edhe a) koalicioni i madh SPD-CDU-Ekologjistë, që njihet ndryshe me emërtimin Koalicioni Gjerman ose i Mickey Mouse, sipas ngjyrave të flamurit gjerman apo të veshjeve të Mickey Mouse, zezë-kuqe-verdhë dhe b) koalicioni tjetër i madh mes SPD, CDU dhe Liberalëve, që njihet me emërtimin Koalicioni i Kenias, sipas ngjyrave të flamurit kenian, kuqe-zezë-verdhë.

Në realitet këto dy koalicione kanë në themel ‘koalicionin e madh SPD-CDU’ që në fakt mund të realizohet vetëm nga këto dy forca politike por nga deklarimet e deritanishme duket i përjashtuar praktikisht, por matematikisht i mundshëm.

Nga deklaratat e para politike dhe analizat më të besueshme rezulton se koalicioni i 3 partive SPD, Ekologjistët dhe Liberalët, duket më i mundshëm. Madje në median gjermane thuhet se dy ‘kingmekërat’ e qeverisë së ardhshme, apo thënë ndryshe, dy forcat kryesore përcaktuese të qeverisjes së ardhshme, janë Ekologjistët dhe Liberalët që kanë praktikisht edhe rritjen më të madhe elektorale në zgjedhjet e fundit.

Në Gjermani, krijimi i këtij koalicioni me 3 parti konsiderohet i vështirë dhe mendohet që negociatat do të zgjasin deri në fund të vitit sepse gjatë negociatave do të duhet të sheshohen të gjithë ‘dallimet/diferencat’ e vogla apo më të mëdha, që rezultojnë nga programet e tyre politike/elektorale të tilla: a) diferencat e ‘lehta’ në politikën ndaj NATO, BE e SHBA, e sistemit europian të mbrojtjes, apo qëndrimet ndaj Kinës e Rusisë, b) diferencat lidhur me rritjen e moderuar të shpenzimeve për mbrojtjen; c) diferenca për taksat; d) diferencat për masat ndaj ndryshimeve klimatike, e) dallimet për masat lidhur me pabarazinë sociale; e tjerë e tjerë.

Dy mendohen do të ishin qasjet për formimin e ‘Koalicionit të trafikut’ a) fillimisht negociatat mes Ekologjistëve e Liberalëve për të sheshuar diferencat mes tyre e më tej përcaktimi i kërkesave të tyre të përbashkëta për SPD dhe b) përcaktimi nga SPD i kërkesave për të dy partitë aleate, Ekologjistët e Liberalët, duke tentuar ndërkohë që të sheshohen edhe diferencat eventuale me Ekologjistët e Liberalët dhe më tej mes tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco