Lajmi i fundit

EMRAT/ Këto janë 3 oficerët e policisë ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhër-arreste

Ringjallja e demokracisë direkte

Ringjallja e demokracisë direkte

Nga Astrit Veliaj - 30/09/2021

Rreth vitit 594 (p.e.s) si pasojë e një krize filloi një lëvizje anti-aristokratike dhe Solon (Archont-i i Athinës) u dha rol ligjvënës të shumtëve, duke kufizuar pushtetin e të paktëve. Kështu morën udhë të drejtat politike, u konturua statusi i qytetarit me peshë në jetën publike dhe nisi demokracia direkte. Të shumtët nuk mund të ishin më robër të disave, vendimet mbi të ardhmen e qytetit duhet të reflektonin edhe vullnetin e tyre. Sot mbas 26 shekujsh, opinioni publik ka rol madhor në vendimmarrjet politike të botës Perëndimore. Kështu duhet të ndodhi edhe tek ne. Demokracia përfaqësuese kërkon ndërgjegjësim të atyre që u delegohet pushteti, por edhe kontroll nga masa e njerëzve dhe rivendosje e normave dhe vlerave të shkelura, kur e kërkon nevoja. Askush nuk mund të vendosi sipas dëshirës mbi një çështje me interes publik apo në emrin e një organizate me anëtarësi masive. Kur shkel vullnetin e shumicës, më shpejt bie nga froni se fillon të të japë efekte vendimi. Qytetarët e bashkuar dinë të vënë në vend një vullnet të tjetërsuar.

Ky zgjim demokratik po ndodh sot në Partinë Demokratike. Njerëzit po mbrojnë interesin publik, po shpëtojnë nga autokracia një parti historike, po ruajnë polifoninë politike dhe drejtimit demokratik të jetës së saj. Nuk ka ndodhur kurrë më parë një lëvizje pacifiste e modernizuese nga poshtë-lart, që përqafohet në masë. Kuvendimi i njeriut pa pushtet me mbështetësit e tij, reflektimi i thellë e i sinqertë mbi sukseset dhe qasjet e gabuara në kohë, sikurse hapja e një perspektive të re ku frymëzues e përkrahës nisin një rrugëtim ndryshimi të forcës së tyre dhe mbarë shoqërisë është modeli i një demokracie autentike, që zgjon shpresën e transformimeve të mëdha kombëtare. Kjo e shton entuziazmin. Ndryshe nga çdo lëvizje tjetër kjo nuk është për ngjitjen e dikujt në pushtet, por për rindërtimin e një partie historike sipas sfidave të shekullit të 21, për të dëshmuar se çfarë mund të bëjë bashkimi i njerëzve të lirë, me bindje dhe qëllime të forta politike. Kur të hidhet shtrati i principeve në një kushtetutë të re, mund të hapen garat për delegimin e lidershipit dhe përgjegjësive. Suksesi i këtij procesi civil do jetë një leksion pedagogjie politike, se për të zbritur nga froni një abuzues pushteti nuk të nevojiten koktejët molotov, veç staturë, besim dhe ndershmëri me njëri-tjetrin. Mobilizimi qytetar bën të mundur çdo ndryshim që njerëzit dëshirojnë.

Dikujt mund t’i duket i tepërt ky reagim, se e ka më të lehtë të bjerë në ujdi me një prijës, por moderniteti nuk funksionon kështu. Historia e botës së civilizuar është një luftë e përhershme kundër pushtetit të një grupi a një njeriu, përpjekje për shpërqendrim përgjegjësish me të tjerët, një lëvizje nga kazerma drejt polis-it, nga sundimtari drejt qytetarëve. Mençuria pa dinakëri qëndron tek njerëzit e thjeshtë. Ata gjykojnë pa interesa të fshehta, me dëshirën më të mirë për komunitetin, për të parë organizatën drejt normave dhe moralit tradicional, që do t’i bëjë fitues sërish. Masa shoqërore mbetet më e paprekura nga sëmundjet bashkëkohore të lidhjeve klanore, të korrupsionit të shpirtit dhe mendjes, të elitave të kapura nga ambiciet e shfrenuara për para e pushtet. Si njëherë dhe një kohë bota përballet me të njëjtat sëmundje dhe duhet trajtuar me të njëjtat kura si në kohët e vjetra. Ata që shkuan tek burimi i shkrimeve te shenjta dhe iu larguan interpretimeve të klerikëve të rremë, i sollën botës një kuptim sa të ri dhe të vjetër për jetën, më shumë ndershmëri dhe zhvillim bazuar në trashëgiminë e vyer njerëzore. Kështu dhe me demokracinë. Herë pas herë duhet kuptuar principi fillestar, si u përfshinë qytetarët në antikitetin e hershëm të botës perëndimore dhe u kufizua forca e kastave, se aty gjendet antidoti e të gjitha abuzimeve me pushtetin.

Gatishmëria për të qenë aktivë në skenën politike, për t’u dëgjuar dhe vendosur mbi të tashmen dhe të ardhmen e jetës është tipar i popujve të civilizuar. Kështu e panë qytetarin dikur edhe Platoni me Aristotelin, si një kafshë politike i formuar nga natyra të jetojë aktivisht jetën publike, të ushtrojë rolin e ligjvënësit dhe t’i nënshtrohet ligjeve që ka vendosur me të tjerët. Këtu demokrati po tregon si gjithmonë tiparet e tij në mbrojtje të lirisë, i gatshëm mos bëjë kompromis me të pushtetshmit. Ky është një proces emancipimi, i çlirimit nga interesat klanore të politikës dhe kthimin tek vlerat civile të shoqërisë. Kështu mund të kthehet besimi i njerëzve tek demokracia, tek pjesëmarrja aktive në jetën e partive dhe të vendit. Nga fati i këtij kuvendimi, ky vend mund të mos jetë kurrë më si më parë. Diçka do ndodhi në mendimet, memorien dhe aksionin e ardhshëm politik, të bashkëkohësve dhe të tjerëve që do vijnë. Do mësohet rruga se si hidhen abuzuesit dhe se si merret sovraniteti mbi fatet e organizatave dhe të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Balo Benca03/10/2021 07:13

Çfarë kupton ti nga Demokracia o idiot Berati????

Shto koment

Denonco