Studiuesit që po monitoronin arinjtë polarë të egër në veri të Kanadasë kanë dokumentuar këtë vjeshtë një rast jashtëzakonisht të rrallë: një ari polar nënë ka birësuar një këlysh që nuk ishte biologjikisht i saj.
Ariu nënë, pesë vjeç, u vëzhgua së bashku me dy këlyshë 10–11 muajsh gjatë migrimit vjetor të arinjve polarë përgjatë Gjirit Perëndimor të Hudsonit, pranë qytetit Churchill në provincën Manitoba, zonë e njohur për popullatën e madhe të arinjve polarë. Pamjet u regjistruan gjatë monitorimit shkencor të kryer nga ekspertët.
“Është diçka e pazakontë. Nuk e dimë saktësisht pse ndodh, por dimë se ndodh shumë rrallë,” tha Alyssa McCall, shkencëtare pranë organizatës Polar Bears International.
Ky është vetëm rasti i 13-të i njohur i birësimit, nga rreth 4,600 arinj polarë të studiuar në këtë zonë gjatë afro 50 viteve të fundit.
Sipas studiuesve, ariu nënë ishte kapur për herë të parë këtë pranverë, kur doli nga strofulla e lindjes me një këlysh, i cili u pajis me etiketë identifikuese për studim. Gjatë vëzhgimeve të vjeshtës, ajo u pa sërish, por kësaj here me dy këlyshë – një të etiketuar dhe një tjetër pa shenja identifikuese.

Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me nënën biologjike të këlyshit të dytë, ndërsa shkencëtarët po përpiqen ta identifikojnë atë përmes analizave gjenetike.

“Arinjtë polarë kanë nevojë për çdo ndihmë të mundshme përballë ndryshimeve klimatike,” tha Evan Richardson, shkencëtar pranë Environment and Climate Change Canada. “Nëse një femër arrin të marrë nën kujdes një këlysh tjetër dhe ta rrisë me sukses, kjo është diçka pozitive për popullatën e arinjve në Churchill.”
Arinjtë polarë në natyrë kanë vetëm rreth 50 për qind shanse për të mbijetuar deri në moshën e rritur, por prania e nënës rrit ndjeshëm mundësitë e mbijetesës. Studiuesit bëjnë me dije se këlyshët duken të shëndetshëm dhe pritet të qëndrojnë me nënën e tyre deri në moshën rreth dy vjeç e gjysmë.
Më pas, familja do të drejtohet drejt akullit të detit, ku këlyshët do të mësojnë nga nëna se si të gjuajnë foka dhe të mbijetojnë vetë.
“Është inkurajuese të shohësh se arinjtë polarë kujdesen për njëri-tjetrin,” përfundoi Richardson./BBC
© SYRI.net