Shkencëtarët po ngrejnë alarmin mbi rreziqet që sjell minierimi në det të thellë, pasi retë e mbeturinave minerale mund të dëmtojnë rëndë organizmat e vegjël detarë, duke prishur ekuilibrat e zinxhirit ushqimor dhe duke rrezikuar peshkimin global. Një studim i ri zbulon se shpimi për nxjerrjen e noduleve polimetalike në thellësi mund të ndikojë tek zooplanktoni dhe peshqit e vegjël, që shërbejnë si hallkat kryesore të ekosistemit detar.
Studiuesit e Universitetit të Havait analizuan një zonë të Paqësorit të quajtur “zona e muzgut”, 200 deri në 1.500 metra nën sipërfaqe, ku u panë efektet e mbetjeve të lëshuara nga një provë minierash e vitit 2022. Gjetjet, të botuara në Nature Communications, tregojnë se grimcat e errëta që hidhen sërish në ujë – përzierje uji, pluhuri dhe sedimente – janë të njëjta në madhësi me ushqimin e zooplanktonit, duke u bërë “ushqim i dëmshëm” për ta.
Kjo situatë, sipas autorëve të studimit, mund të prekë deri në 60% të mikronektoneve që ushqehen me zooplankton, duke rrezikuar speciet si mahi mahi dhe toni, të cilat varen nga organizmat në thellësi. “Nëse rrjeti ushqimor në thellësi shembet, ndikimi ngjitet deri te peshqit komercialë”, tha Michael Dowd, autori kryesor.
Ekspertët paralajmërojnë se dëmet nuk kufizohen vetëm te shtresa e poshtme e ujit, por shtrihen edhe në nivelet e mesme, ku lëshohen zakonisht mbetjet e përpunimit. Ata theksojnë se çdo metodë e shkarkimit, qoftë në fund, në mes apo në sipërfaqe, sjell pasoja mjedisore të rënda në forma të ndryshme.
Në kushtet kur disa shtete po nxitohen drejt minierave të thella për shkak të kërkesës për minerale kritike, studiuesit theksojnë se ekzistojnë alternativa si riciklimi i elektronikës, baterive apo shfrytëzimi i mbetjeve minerare të mëparshme. Sipas tyre, minierimi masiv dhe afatgjatë mund të përhapë dëmin në të gjithë rajonin oqeanik.
Minierat në det të thellë tashmë po marrin formë në nivel global, pasi Autoriteti Ndërkombëtar i Shtratit të Detit ka dhënë disa kontrata eksplorimi. Në SHBA, Presidenti Donald Trump ka shtyrë përshpejtimin e procedurave për leje minierash, mes tensioneve tregtare me Kinën për aksesin në mineralet kritike. Administrata amerikane po shqyrton madje edhe nxjerrjen e mineraleve në ujërat e Samoas Amerikane.
Grupet mjedisore kundërshtojnë fuqishëm industrinë e re, duke paralajmëruar jo vetëm dëmtim të ekosistemit detar, por edhe lirimin e karbonit të bllokuar në fund të oqeanit, një rrezik i shtuar për klimën.
“Pyetja që mbetet është: A ia vlen të rrezikojmë funksionimin e oqeanit për disa minerale?”, shprehet studiuesja Sheryl Murdock. Biologia detare Diva Amon paralajmëron se pasojat mund të shkojnë deri në zhdukjen e specieve, nëse industria nuk menaxhohet me kujdes ekstrem.
Sipas shkencëtarëve, para se të fillojë minierimi masiv, nevojiten kërkime të thelluara për të shmangur dëme të pakthyeshme në një nga ekosistemet më të ndjeshme të planetit.
© SYRI.net